Reformimi i gjyqësorit, ambasadori Lu në zyrën e Berishës

 

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë është shprehur tepër i ashpër gjatë javës së fundit me mënyrën sesi funksionon sistemi gjyqësor në Shqipëri.

Sakaq, ambasadori amerikan, Donald Lu,  sot paradite shkoi në zyrën e ish kryeministrit Sali Berisha, të cilit i ka dorëzuar edhe Opinionin e Komisionit të Venecias për reformën në Drejtësi.

“Ambasadori  Lu e falenderoi zotin Berisha për angazhimin serioz dhe kontributin e tij në këtë proçes themelor dhe shprehu bindjen se vërejtjet dhe sugjerimet e Komisionit të Venecias pasqyrojnë gjerësisht qëndrimet dhe vërejtjet e formuluara nga opozita.

Ambasadori Lu i shprehu zotit Berisha dhe falenderimet për rolin e madh që ai ka luajtur në proçesin e miratimit të ligjit për dekriminalizimin”, thuhet në një njoftim për shtyp të zyrës së ish kryeministrit.

Nga ana e tij Berisha vlerësoi angazhimin e ambasadorit Lu për reformën në drejtësi.

“Zoti Berisha shprehu falenderimet për Komisionin e Venecias për punën e madhe që ka bërë dhe për komentet dhe rekomandimet e tij, të cilat janë në një valë me propozimet e opozitës. Këtë dokument zoti Berisha e konsideroi një bazë shumë solide për ti dhënë vendit reformën më të mirë të drejtësisë. Zoti Berisha theksoi se me vërejtjet dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, provohet se sa qesharake janë pretendimet se opozita është kundër reformës në drejtësi. Komentet, vërejtjet, rekomandimet apo sugjerimet dëshmojnë qartë se opozita është jo për një reformë që kap drejtësinë nga politika apo partia, por për një reformë të standarteve më të mira europiane”, vijon më tej njoftimi për shtyp.

Ish kryeministri Berisha shprehu besimin se opozita, sikundër deri sot, duhet dhe do të qëndrojë e angazhuar me të gjithë potencialin e saj për këtë reformë, e cila duhet të bazohet në parimet themelorë të kushtetutshmërisë, që aq me kopetencë i ka zbërthyer Komisioni i Venecias në vërejtjet e tij.

Në këtë kontekst, Berisha, vlerësoi se forcat politike duhet të mbështesin këshillën e urtë të kryetarit të Komisionit të Venecias, i cili rekomandoi politikën e ndjekur për miratimin e ligjit të dekriminalizimit.

Berisha shprehu bindjen se ekzistojnë të gjitha mundësitë që të punohet dhe proçedohet për hartimin dhe miratimin e të gjitha amendamenteve kushtetuese dhe ligjeve të tjera që rrisin përgjegjësitë, transparencën dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe ndëshkojnë korrupsionin në këtë sistem.

 

SHKARKO APP