Refugjatët mbrohen nga ky fshat shqiptar
Prej kohësh Shqipëria është ”rruga e artë” e kalimit të refugjatëve drejt vendeve të BE-së. Fshati Trestenik në rrethin e Korçës është një nga fshatrat kufitare që shikohen si stacioni i parë i emigrantëve të paligjshëm nga Lindja e Mesme.
Banorët e këtij fshati iu japin bukë dhe rroba emigrantëve, të cilët, në shumë raste kanë me vete edhe fëmijë të mitur. Emigrantët shfrytëzojnë brezin e gjelbër për t’u futur nga Greqia në Shqipëri me destinacion final ndonjë nga vendet e BE. Temperaturat e ngrohta për stinën po favorizon kalimin e paligjshëm të emigranteve nga Lindja e Mesme, të stacionuar në Greqi dhe që futen në territorin shqiptar në mënyrë të paligjshme për të mbërritur në vende të BE.
Dhjetëra emigrantë sirianë dhe irakianë kapen thuajse çdo dite nga policia kufitare shqiptare dhe Frontex. Por dhjetëra të tjerë arrijnë të kalojnë dhe në fshatrat kufitare shqiptare. Ata ndalojnë dhe kërkojnë ndihmë për ushqime dhe veshmbathje. Pavarësisht angazhimit të policisë kufitare shqiptare e ndihmuar edhe nga Frontex, grupet e emigrantëve vazhdojnë të futen nga kufiri i gjelbër me shpresën për një jetë më të mirë.