Refugjatët: Në Greqi na zhveshin dhe na dhunojnë. ”Jemi si lodra për ata” (Pamje të rënda)
Edhe pse rrezikojnë jetën në det të hapur, refugjatët nga Siria ”duhet” të durojnë edhe trajtimin çnjerëzor nga Greqia. Ata hedhin akuza se policia greke i zhvesh dhe i dhuron, teksa këta të fundit përpiqeshin që përmes Greqisë të shpërndaheshin më gjerë nëpër vendet e BE-së. Agjencia turke TRT, publikoi foto të emigrantëve gjysmë të zhveshur duke u ngrohur në një rreth zjarri shumë pranë kufirit grek.
Nga ana tjetër, ata pretendojnë se policia greke i ka dhunuar me “sende ushtarake”. Më herët policia greke ka hedhur në drejtim të emigrantëve gaz lotsjellës, si dhe ka qëlluar ndaj tyre me armë, për t’i zmbrapsur ata dhe mos t’i lejuar të kalojnë kufirin. Megjithatë mohojnë kategorikisht të kenë plagosur apo edhe vrarë emigrantë.
“Nuk e dimë se çfarë po ndodh. Ne jemi si lodra për ta. Jemi kthyer në një “top” dhe të gjithë po e shkelmojnë nga njëri drejtim në tjetrin. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me ne”, tha një emigrant. Zemërimi i tyre është drejtuar dhe nga Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, pasi e akuzojnë atë se i dha shpresë të rreme për një jetë më të mirë në Europë, duke i lejuar ata të largoheshin nga Turqia.
Sipas ministrit të Brendshëm turk, Sulejman Soilu, familjet e dy personave që kanë humbur jetën në përpjekjen për të kaluar kufirin grek, i kanë autorizuar për ta bërë diçka të tillë. Ai thotë se mbi 135 mijë persona kanë kaluar deri më tani nga rajoni kufitar turk i Edirnes për në Turqi që prej javës së kaluar. Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan u takua me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel, ndërsa qindra refugjatë sirianë të strehuar në Turqi, u përpoqën sërish të kalonin kufirin grek, duke shtyrë policinë nga të dyja anët e kufirit të përdorë gazin lotsjellës.
Ankaraja akuzoi forcat greke se kishin qëlluar për vdekje një refugjat si dhe kishin plagosur e të tjerë. Athina mohon dhe kundërpërgjigjet se policia turke po ndihmon emigrantët të kalojnë në territorin e saj. Por, ndërsa lufta e fjalëve mes Greqisë dhe Turqisë përshkallëzohet, mijëra emigrantët e mbetur në kufi jetojnë në dëshpërim, në të ftohtë, pa veshje dhe ushqime.