Refuzimi i vaksinave ruse e dhurata e Princit të Kurorës, Hoxha: Rama bëri atentat ndaj qytetarëve

Sot mbërritën në vendin tonë 10 mijë doza të vaksinës Sputnik, dhuratë nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Megjithatë, gazetari Artan Hoxha kritikoi qëndrimin e mbajtur fillimisht nga kryeministri Edi Rama rreth këtyre vaksinave.

Në një bisedë me Juli Xhokaxhi në ABC, Hoxha tha që nëse Rama do ta kishte pranuar ofertën e Ambasadës Ruse, ndoshta do të ishin kursyer jetët e atyre qytetarëve që nuk kanë mundur t’i mbijetojnë virusit.

Gazetari theksoi se kur është jeta e njerëzve në rol, duhet që disa situata të vlerësohen më mirë, dhe që gjeopolitika në këtë rast të ndahet nga humanizmi.

“…Rama bëri sulm ndaj diplomatëve rusë. Thamë që nuk kemi nevojë për vaksinën. Ne tani nxjerrim ministrat e presim nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Po nga Emiratet Sputnik-un po marrim. Gjeopolitikën nga humanizimin duhet ta ndajmë. Kur luhet jeta e qytetarëve ka ca gjëra që vlerësohen më tepër.”

Veprimin e kryeministrit për çështjen e vaksinave nga Rusia, Artan Hoxha e quajti një lloj “atentati ndaj qytetarëve shqiptarë.”

“Një lloj atentati ndaj qytetarëve shqiptarë. Pas tre muajsh e kap veshin nga ana tjetër. Do kishte shpëtuar disa jetë njerëz më shumë..”

/abcnews.al/

SHKARKO APP