Refuzohet dokumenti francez, Gjermania: Pengon zgjerimin
Vendet e Bashkimit Europian mbeten thellësisht të ndara kur bie fjala për nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
AF raporton se presidenca finlandeze e BE ka refuzuar të marrë në diskutim një dokument të Parisit zyrtar për reformimin e procesit të integrimit.
Austria nga ana e saj tha se do paraqesë një dokument me pesë vende të tjera për reformat.
Nga ana tjetër, nënkryetarja e grupit parlamentar CDU/CSU në Gjermani, Katja Leikert tha se propozimi francez synon të pengojë zgjerimin.
“Është mirë që Qeveria Franceze po bën propozime konstruktive për procesin e zgjerimit të BE-së, por nuk mund të ketë një reformë të procesit të zgjerimit, në të cilën të gjitha hapat e zgjerimit do të kundërshtohen me veto, derisa të ketë një dakordësim, siç e ka bërë Macron në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, tha Katja Leikert për Dojçe Velen.
“Reforma të tilla kanë nevojë për kompromise dhe kompromiset kanë nevojë për kohë. Ne do të bëhemi besëprerë ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor nëse deri atëherë do t’i lëmë në ngrirje të gjitha proceset e zgjerimit. Kjo duket më pak si një reformë e proceseve të brendshme sesa një përpjekje për të penguar zgjerimin”.