Refuzoi martesën, çifti trondit me historinë e dashurisë vrastare
Kishte imagjinuar veten dhëndër dhe atë nuse, por nga lidhja e fshehtë që 31-vjeçari, babai i një djali 1-vjeçar kishte me 19-vjeçaren, maturante, la pas një dramë për familjet. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm, përbri rrugës “Don Bosko”, në Tiranë kur 31-vjeçari Xhafer Mata qëlloi me 2 plumba pistoletë 19-vjeçaren Xhuljeta Çunin, dhe pasi kaluan 15 minuta qëlloi veten në kokë.
Vajza po shkonte për të dhënë provimin e letërsisë, pasi ishte maturante, ndërsa punonte si shitëse në një market. Pikërisht pranë pallatit ku javën e fundit, Mata i ndërpriste rrugën çdo ditë Xhulietës, për ta bindur që ta merrte nuse në shtëpi, për të kurorëzuar kështu lidhjen intime disa vjeçare.
Nga ana tjetër, 31-vjeçari, me profesion inxhinier mekanik dhe i punësuar në servisin e tij, brenda ambienteve të banesës private, ishte divorcuar prej pak muajsh nga bashkëshortja, me të cilën kishte edhe një fëmijë të mitur.
Refuzimi i vajzës për t’u martuar me të dashurin e sapo ndarë nga gruaja është edhe pista më e fortë hetimore, ku janë përqendruar specialistët e sektorit të krimit kundër jetës në Policinë e Tiranës, ndërsa janë pyetur familjarët për të mësuar rrethanat e plota të krimit.
Vajza banonte pranë “Shinave të Trenit”, thuajse 500 metra larg banesës së 31-vjeçarit, ku familja e saj kishte ndërtuar shtëpinë prej disa vitesh, kur kishin ardhur nga Vinjolli i Matit. Ndërsa Xhafer Mata, me origjinë nga Kalimashi i Kukësit jetonte në banesë private.
KOHA JONË SONDAZH

