Regjimi ”41 bis”, Avokati i Popullit: Janë tejkaluar masat e rreptësisë
Në burgjet e vendit kanë nisur revoltat dhe shumica lidhen edhe me regjimin ”41 Bis”, ku pas verifikimeve në burgun 313 dhe në Peqin, Avokati i Popullit thotë se masat janë më të rrepta se vetë modeli italian. Për këtë Avokati i Popullit inspektoi burgun Jordan Misja dhe atë të Peqinit.
Erinda Ballanca i ka dërguar një shkresë ministries së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, lidhur me disa nga rekomandimet për “41 Bis” por ajo që bie në sy është se sipas Avokatit të Popullit legjislatori shqiptar ka tejkaluar dhe vetë rreptësinë e masave italiane nga ku është huazuar regjimi.
Në burgun 313 pas ankesave të dënuarit Emiljano Shullazi, Avokati i Popullit ka konstatuar mungesë të kushteve higjieno-sanitare në ambientet e përbashkëta. Sipas inspektorëvenë në këtë burg nuk ka një vendim të drejtorit të përgjithshëm për higjienën e ambienteve.
Veç rekomandimeve të cilat duhet të jenë sipas modelit italian komisionerët shprehin shqetësimin se rregullorja e posaçme e regjimit uniformon çdo të burgosur ndaj dhe ankimimi i tyre në gjykatë bëhet i pamundur. Si e vetmja zgjidhje mbetet Avokati i Popullit dhe aksesi në mbrojtësit e tyre ligjorë për kërkesat e tyre. Kjo e drejtë nuk duhet mohuar në çdo rast.