“Regjisori i fushatës elektorale”, Hervin Çuli i kthehet gazetarit: PD më nxiu jetën!
Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli teksa është munduar të sqarojë edhe njëherë pozicionin e tij në lidhje me projektin e Teatrit të Ri Kombëtar, është përfshirë në një debat nëpër rrjetet sociale disi të pazakonshëm me gazetarët, ku këta të fundit i kanë kujtuar Çullit kohën kur ai militonte në radhët e Partisë Demokratike.
Një debat i tillë është zhvilluar mes tij dhe gazetarit Armand Maho, i cili në një qëndrim të shprehur në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, dhe të titulluar “Hervin Çuli, nga klloun i Berishës tek shërbëtor i Ramës!”, thekson se “Hervin Çuli, drejtori aktual i Teatrit Kombëtar, do të angazhohej në Partinë Demokratike diku nga viti 2003, si regjisor i fushatës elektorale për zgjedhjet lokale”, ndërsa shton se largimi i tij nga PD erdhi për shkak të refuzimit për emërimin e tij si drejtor i Teatrit nga ministri i asaj kohe i Kulturës, si pasojë e institimit të tij të vazhdueshëm për postin e kreut të TK-së.
E duke iu përgjigjur këtyre qëndrimeve, drejtori i Teatrit Kombëtar Hervin Çuli i kujton gazetarit kohën kur ai militonte për PD-në, teksa thekson se PD-ja ia nxiu jetën atij duke e detyruar që të qëndronte 4 vite pa punë, deri në vitin 2013, kur u bë dhe rrotacioni politik./Koha Jonë
Reagimi i plotë i Hervin Çulit
I nderuar Armand! I detyruar nga shumë përbaltje të qëllimshme për të më denigruar me çdo kusht në këtë kohë të turbullt, po ju sqaroj për disa spekullime të turpshme në adresën time. Së pari i nderuar se kam mohuar kurrë mbështetjen time ndaj PD deri në 2005, kur erdhi në pushtet. Këtu besoj që nuk kam bërë ndonjë krim. Edhe shumë të tjerë si unë kanë besuar që kjo forcë politike ishte forca e ndryshimit në këtë vend. Unë mendoj që kjo gjë nuk ndodhi dhe zhgënjimi është një ndjesi e pranueshme për të gjithë njerëzit normalë. Për sa i përket dëshirës sime të ethshme për të kapur postin e drejtorit ju sqaroj se në të vetmin takim që kam pasur në 2005 me Kryeministrin e sapo zgjedhur të asaj kohe i kam sygjeruar në postin e drejtorit të TK-se aktoren Yllka Mujo. Kjo është një deklaratë publike që e kam bërë dhe më parë në shumë biseda televizive. Madje e vërteta absolute është që si fillim i kam kërkuar që të mos e shkarkonte zotin Londo që, sipas meje, kishte bërë një punë shumë të mirë në ate periudhë. Kuptohet, që ai këtë të fundit nuk mund ta pranonte dhe prandaj në bisedë doli dhe emri i aktores së nderuar. Pas kësaj, PD më nxiu jetën dhe pavarësisht 15 vjet karriere, më hoqi nga puna. Për 4 vjet jam endur nga një qytet në tjetrin, i papunë dhe kam bërë punën time si regjisor për të mbijetuar. Për pjesën që ka lidhje me aktorin Mirush Kabashi nuk e kam fyer në asnjë moment si artist. Kam evidentuar marrëdhëniet e tij të punës me TK-në dhe gënjeshtrën per censurën që aplikohet në Teatrin Kombëtar. Dhe kur një njeri gënjen nuk e kuptoj se ç’lidhje ka fama në këtë mes!!! Dhe së fundi, për fyerjen tënde për nivelin tim artistik, të bëj me dije që jam një regjisor që kam mbi shpatulla 35 vepra artistike me mbi 300 mijë spektatorë që i kanë ndjekur ato. Jam shpallur kur Bujar Leskaj ka qenë Ministër Kulture në Festivalin Mbarëkombëtar të Dramës Shqipe në 2006-n, si regjisori më i mirë shqiptar. E pra i dashur Armand, kam punuar si kafshë, pothuajse dy vepra në vit, në profesionin që nuk ma heq dot askush me një status në fb. Vërtetë fitova si drejtor, por këtë e bëra me një konkurs publik pa e parë kurrë derën e selisë së PS-së. Sot, kur mbroj me forcë ndërtimin e një teatri të ri kombëtar, e bëj sepse punoj çdo ditë bashkë me kolektivin e TK-së në një godinë të degraduar jashtë çdo kondicioni normal pune. Dhe kur kjo histori të mbarojë unë përsëri regjisor do jem se kolltuku ku më sheh sot një ditë nuk do jetë i imi, ndërsa profesioni deri sa të vdes. Ju përshëndes me respekt i nderuar!

Komenti i gazetarit Armand Maho që nxiti reagimin e Hervin Çulit
Hervin Çuli, nga klloun i Berishës tek shërbëtor i Ramës!
Hervin Culi (drejtori aktual i Teatrit Kombëtar) do të angazhohej në Partinë Demokratike diku nga viti 2003, si regjisor i fushatës elektorale për zgjedhjet lokale. Ishe një rekomandim I Edi Palokës, me të cilin kishte pasur njohje prej kohësh, dhe duke i shfrytëzuar këto njohje I ishte ngjitur keqas për t’u angazhuar me opozitën e asaj kohe. Personalisht kam pasur nja dy apo tre apo tre takime për shkak të punës. Nëpër korridoret e PD-së bëhej humor me figurën e tij. Ishte shumë i fiksuar për paraqitjen e jashtme të doktorit, aq shumë sa paraqitej çdo ditë në zyrë në mëngjes herët, ku kujdesej personalisht dhe për ti lidhur apo pastruar këpucët, me preteksin se “ nuk dukeshin mirë në ekran”. Nga biseda me të mbaj mend më shumë se mllefin me Edi Ramën e kishte të madh. Zhurma që bëri asokohe tentativa e ngjashme me sot për prishjen e teatrit nuk ishte fashitur ende dhe Çuli ishte përkrah kundërshtarëve. Edi Rama atëmot nuk ngurroi të tallej dhe me Violeta Manushin ndjesë pastë. Aktorët e kujtojnë dhe sot e kësaj dite shprehjen “ Vendosni dhe brekët e Violeta Manushin si simbol tek ajo godinë”. Idiot, injorant, psikopat, i çmendur, ishin fjalët që Çuli përdorte rëndom jo vetëm ne bisedat private, por edhe publikisht ndaj ish kryetarit të bashkisë së asaj kohe. Aq me mllef fliste, sa habiteshe se nga i buronte gjithë ajo urrejtje.
Në vitin 2005, Çuli, i cili ndjeu erën e pushtetit do angazhohej sërish në PD këtë herë ne Komitetin e Orientimit të Politikave ose KOP, një strukturë e ngritur nga Berisha për të hartuar programin e PD. Por duke qenë se aftësitë e tij profesionale ishin nën mesataren nuk eshtë se shkëlqeu shumë, dhe figura e tij u la disi në hije. Në atë kohë u angazhuan një masë e madhe artistësh me ide dhe projekte se si mund të përmirësohej jeta kulturore në vend, por duket se Çuli e kish mendjen gjetkë. Që atëherë ai synonte të ishte drejtori i Teatrit Kombëtar, por as vetë ndoshta se dinte se për çfarë arsyesh.
PD do të fitonte zgjedhjet e qershorit, dhe Vini do luftonte fort për postin e drejtorit të Teatrit. Në fakt duhej theksuar se simpatinë e Berishës e gëzonte por ëndrrën në mes do ja priste Ministri I Kulturës së asaj kohe Bujar Leskaj. Vetë kryeministri nuk ndërhynte në emërimet apo shkarkimet e Bujarit. Ky i fundit, la enkas për disa kohë në detyrë Kiço London, më pas emëroi në vend të tij Armando Borën, i cili ndejti për rreth dy vjet në krye të këtij dikasteri. Më pas Leskaj do e shkarkonte dhe Borën dhe në vend të tij do emëronte Kristaq Skramin një aktor vlonjat. Këtu filloi dhe tërbimi i Çulit, i cili nuk linte ekran pa dalë dhe duke sulmuar qeverinë për të cilën kishte kontribuar fort që të vinte në pushtet. Kur e kam pyetur një herë Leskaj-n për këtë çështje dikur nga viti 2009 pasi kish ikur nga ministër më pat thënë se kandidaturën e Çulit skish për ta miratuar kurrë. “ e kërkonte me egoizëm sikur donte të bëhej me dhunë drejtor. Në fakt, unë smund të ofendoja komunitetin e artistëve me një kandidaturë të tillë. Atë detyrë nga unë të paktën sdo e kish marrë kurrë”. Por duket se problemet e Çulit nuk ishte vetëm mënyra se si e kërkonte atë vend pune pore dhe marrëdhënia e tij me paranë dhe probleme të tjera të cilat nuk jepnin garancinë se ai do ishte një figurë e denjë për atë vend.
Ndoshta u zgjata pak me historinë e Çulit por mu kujtuan piruetat e tij teksa dëgjoja recitimin brilant të Mirush Kabashit për dinjitetin. Atë dinjitet që pikërisht drejtori aktual e vinte në dyshim për aktorin e madh. Pikërisht ai kllouni i dikurshëm I Berishës, sot shërbërtor i Ramës. Ky farë drejtori nuk është ne atë vend pune se ka ndonjë meritë, apo se është ndonjë menaxher i mirë, aspak. Ai është aty se është i ngjashëm në vese e mentalitet me kryeministrin i cili ka parë tek ai shpirtin binjak. Hervin Çuli se ka për gjë të shesë kolegë e miq për atë post qe mban aktualisht. Njeriu që dikur lidhte dhe pastronte këpucët e ish kryeministrit s’e ka për gjë ti lëpihet këtij të sotmit. Për interesat e personale të Ramës dhe Veliajt (se kockë për atë s’ka lënë njeri në këtë mesele) ai është gati të sulmojë ata që kanë dhënë jetën për artin në këtë vend. Në këtë sulm në fatkeqësisht ai s’është vetëm, por janë dhë disa palo artistë që shpirtin e kanë shitur me kohë tjetër kund. Por harrojnë se në rast se emrat e atyre artistëve që mbrojnë sot teatrit janë do kujtohen si krenaria e tij, çulrat dhe qullrat që mbrojnë sot me mish e shpirt një aferë të pastër korruptive që po bëhet në kurriz të artit, do mbahen mend jo si artistë, por si turp i atij komuniteti. Për ta s’do ketë vend në panteonin e artit shqiptar, e shumta në shollën e këpucës së Ramës dhe Veliajt, që i përdorin dhe do vazhdojnë t’i përdorin si rreckë sa herë duan të fshijnë batakun e tyre korruptiv. Kjo është për të ardhur keq.


KOHA JONË SONDAZH

