Regjistrimet në kopshte e çerdhe! 5900 kërkesa në njësitë publike që nga 2 qershori
Prej datës 2 qershor ka nisur procesi i regjistrimit të fëmijëve në çerdhet dhe kopshtet publike të Tiranës, i cili për herë të parë po zhvillohet online, përmes platformës zyrtare e-fëmijet.tirana.al.
Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani janë regjistruar 5900 aplikime, që përfshijnë: regjistrime të reja në çerdhe dhe kopshte, kalime nga çerdhja në kopsht si dhe kërkesa për transferime.
Drejtoresha e kopshteve dhe çerdheve të Tiranës, Zhaneta Beqiri, shprehet se procesi ka shkuar mirë dhe interesi ka qenë i lartë:
“Është java e dytë që vazhdojnë aplikimet për shërbim në çerdhe dhe kopshte. Gjithçka ka ecur sipas pritshmërive. Pavarësisht vështirësive të para për shkak të fluksit të madh, sistemi është stabilizuar dhe qytetarët po përshtaten me platformën.”
Kërkesat për regjistrim në institucionet publike parashkollore janë në rritje vit pas viti, shpesh duke tejkaluar kapacitetet aktuale. Për këtë arsye, aplikimet shqyrtohen në bazë të kritereve prioritare, duke u dhënë përparësi familjeve më në nevojë.
Kapacitetet aktuale dhe zgjerimi i rrjetit të institucioneve
Aktualisht, në institucionet publike janë të lira 2700 vende në çerdhe dhe 2500 vende në kopshte. Për të përballuar fluksin në rritje, këtë vit do të hapen dy institucione të reja:
Një kopsht i ri në zonën e Medresesë, me kapacitet rreth 200 fëmijë, që do të shërbejë për njësitë 8 dhe 9.
Një çerdhe e re në zonën e Farkës së Lundrës, me kapacitet 120 deri në 150 fëmijë, në varësi të kërkesave.
Afatet dhe procedura
Aplikimet përfundohen më 22 qershor. Më pas do të nisë shqyrtimi i dokumentacionit dhe rezultatet pritet të publikohen në 15-ditëshin e parë të gushtit, me njoftim për prindërit nëpërmjet emailit.
KOHA JONË SONDAZH

