Regjistrimi i pronave në bregdetin e jugut, Lame: 16500 pasuri private

Kryetari i Kadastrës, Artan Lame në një komunikim për mediat tha se nga dita e sotme ka nisur regjistrimi i pronave në tetë zonat e bregdetit të jugut. ”Është operacioni më i madh kadastral i ndërmarrë ndonjëherë nga shteti shqiptar në këtë zonë. Ky proces do të trajtojë 16500 pasuri private, kryesisht toka të përfituar me AMTP nga ligji 7501 i vitit 2001 shtëpitë e vjetra tradicionale, objekte në proces legalizimi, prona të vjetra, objekte të privatizuara. Procesi do të trajtojë edhe 5200 pasuri shtetërore, prona të institucioneve publike, prona të njësive vendore, kullota dhe pyje. Prej gjithë këtij procesi do të përfitojë 8 mijë persona, rezidentë apo të emigruar. Procesi ka nisur dy herë dhe nuk ka shkuar deri në fund. Iu premtoj se ky proces do të shkojë deri në fund këtë herë”.

Nga ana tjetër, ai theksoi se ky proces do të monitorohet nga ekipe të posaçme, që do të shkojnë nga Tirana. Sipas tij, kjo zgjedhje është bërë për të shmangur konfliktin e interesit. ”I gjithë procesi do të monitorohet nga ekipi ynë i dërguar nga Tirana, këtë e bëjmë për të shmangur konfliktin e interesit në këtë proces”. Kreu i Kadastrës, Artan Lame bëri kritika edhe për Drejtorinë e Hipotekës në qytetin e Vlorës. Ai tha se në këtë proces ka pasur një sërë parregullsish, ndërsa ftoi qytetarët për bashkëpunim të ngushtë me institucionet shtetërore për të dorëzuar dokumentet e kërkuara.

”Si dhe për të mos përfshirë në këtë proces një drejtori rajone ka shfaqur problematika të mbartura dhe të mahisura prej vitesh. Gjatë kësaj periudhe jemi ndeshur me disa problematika të mbartura dhe të shtresëzuara ndër vite. Jemi ndeshur me akte pronësie të mbivendosura nga dy, tre apo katër herë. Jemi ndeshur me dokumente të falsifikuara, jemi ndeshur me presione nga më të ndryshmet, jemi ndeshur me vendime komisionesh dhe gjykatash, të gjithë problematike. Por, mbi të gjitha jemi ndeshur me dëshirën e këtyre banorë për t’i dhënë fund këtij kalvari, në këtë pikë nga banorët e jugut kërkoj dy gjëra: Besim dhe bashkëpunim. Besimi në procesin dhe në vullnetin tonë për ta përfunduar atë, dhe bashkëpunim me punonjësin tanë për të ofruar dokumentacionin dhe për të plotësuar kërkesat që do t’u bëhen nga ana jonë”.

SHKARKO APP