Rekord ankesash ndaj policisë: Mijëra denoncime për dhunë gjatë punës së bluve
Denoncimet në media apo rrjetet sociale tregojnë për një fenomen shqetësues lidhur me faktin se Policia e Shtetit po bëhet më e dhunshme. Rasti më i fundit është ai i pak ditëve më parë në Pogradec, ku të paktën 5 punonjës policie u filmuan duke shoqëruar në mënyrë të dhunshme dy të rinj.
Rritjen e dhunës së policisë e konfirmojnë dhe shifrat zyrtare, ku për këtë vit kemi 4854 ankesa, krahasuar me 3249 të vitit të shkuar.
Natyra e ankesave është e ndryshme, por dhuna e ushtruar nga uniformat blutë nuk ka munduar as gjatë periudhës së pandemisë.
Në muajin prill janë kryer 2020 denoncime ndërsa në muajin maj 1020. Ankesat e kësaj periudhe kanë të bëjnë me punën që blutë kanë kryer gjatë pandemisë, ku në fokus ishte ndëshkimi i qytetarëve që thyejnë oraret e karantinës.
Krahas tyre ankesat ishin dhe për shoqërimet e kryera nga policët, sidomos për protestat e mbajtura gjatë kësaj periudhe, të cilat ndaloheshin me ligj. Përveç ankesave vërehet dhe një numër i lartë i efektivëve të proceduar penalisht dhe arrestuar. Gjatë vitit 2020 janë proceduar penalisht 177 punonjës, ndërsa janë vënë në pranga 43 të tjerë, nga 31 që kanë qenë për vitin e shkuar.
Në shumë raste të denoncimeve në media për dhunën e ushtruar nga policia janë marrë masa disiplinore deri në pezullim nga detyra, por për rastin më të fundit të regjistruar pak ditë më parë në Pogradec nuk ka asnjë reagim. Zyrtarisht nuk bëhet e ditur nga policia se kanë nisur hetimet apo të jetë dhënë masë disiplinore për 5 efektivët që dhunuan 2 të rinjtë. /Ora News