Relatori për çështjen e Salianjit, PD për Gjykatën e Lartë: Manipuloi procesin
Partia Demokratike ka sulmuar sërish Gjykatën e Lartë, pas sqarimit që dha për caktimin e relatorit Sokol Binaj në çështjen e Ervin Salianjit i cili kërkon pafajësinë. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo sulmoi Gjykatën e Lartë duke thënë se i zhvendos rregullat dhe ligjet sipas dëshirës apo nevojës. Sipas Garos, Salianji është një i dënuar politik dhe sipas saj është ngritur shqetësimi i manipulimin e procesit në Gjykatën e Lartë.
DEKLARATË PËR MEDIA ZËDHËNËSJA E PD, FLORIANA GARO
Gjykata e Lartë reagoi dje pas deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe të deputetit të burgosur politikisht, Ervin Salianji. Reagimi ishte po aq flagrant sa edhe shkelja proceduriale me qëllim politike: një reagim sa për të thënë i cili nuk thoshte asgjë. Në asnjë rresht të komunikatës, as nuk cekej thelbi i arsyes, apo mosarsyes, se pse institucioni më i lartë gjyqësor në Republikë hedh një short të dytë kur ka hedhur ndërkohë një short të parë?
Gjykata përdorte dje shprehje si ‘standard’, ‘integritet’ apo ‘rregulla’, ndërkohë që me vetë aktin e saj nuk respekton asnjë prej tyre, madje i shpërfill ato. “Integriteti” i Gjykatës së Lartë është t’i tregojë publikut se, si u bë shorti i parë dhe, po ashtu se përse lindi nevoja për një short të dytë nëse kishte një ekzistues elektronik? Përse vallë ?
A mos për të zgjatur procesin deri sa të përfundojë afati i regjistrimit të kandidatëve për deputetë? Si ka mundësi që momentin e rëndësishëm të shortit, që u bëka nga KLGJ, që garanton paanësi, gjykata e zëvendesoka me një urdhër? Ç’kuptim ka atëherë shorti?
Jo vetëm deputeti demokrat I burgosur politikisht, jo vetëm demokratët, por edhe publiku i gjerë kërkon të dijë se si një gjykatë që është mbi të tjerat dhe mbikëqyr të tjerat i zhvendos rregullat dhe ligjet sipas dëshirës apo nevojës. Këtë pret publiku, jo një komunikatë me gjuhë të drunjtë që nuk adreson problemin, por e fsheh aktin.
I burgosuri politik Salianji, duke shpresuar në integritetin profesional të secilit gjyqtar, dhe duke mos njohur apo pasur preferencë për asnjë prej tyre, si deputet i opozitës dhe si qytetar ka si themel të shqetësimit manipulimin e procesit, vonesat me qëllim.
Kushtetutës dhe ligjit i nënshtrohemi të gjithë si të barabartë! Bazuar në këto parime pyetja vlen sërish: Si u hodh shorti i parë, dhe pse Gjykata hedh short të dytë kur, sipas saj, nuk ka nevoje, meqë relatori i kërkesës për pezullim do te jetë dhe relatori i rekursit?
KOHA JONË SONDAZH

