Rendi gjatë festave, Lleshaj: Policia në gatishmëri
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj së bashku me drejtorin e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu inspektuan masat për festat e fundvitit në sallën operative te DVP Tiranë. Në përfundim të inspektimit, Lleshaj nënvizoi se të gjithë treguesit që karakterizojnë sigurinë publike në vend janë në nivelet më të mira historike. ”2019 ka qenë një vit i ngarkuar mund të themi që po i afrohemi fundit të vitit me tregues optimist për progresin e bërë. Të gjithë treguesit që karakterizojnë sigurinë publike në vend janë në nivelet më të mira historike”.
Duke folur për masat e fundvitit, ministri Lleshaj nënvizoi se këtë fundvit, puna e policisë është e fokusuar në tre elementë, kufirin, rendin dhe parandalimi i përdorimit të lëndëve piroteknike. ”Policia është e fokusuar në disa drejtime kryesore, e para në menaxhimin e gjithë fluksit të kalimit në pikat kufitare, për arsye se fundi i vitit shton numrin e qytetarëve shqiptarë që hyjnë apo dalin nga territori. Po kështu, shtoi Lleshaj, vëmendje e madhe i kushtohet trafikut, sigurisht atij rrugor në përgjithësi, luftës ndaj krimit dhe mbajtjes nën monitorim të elementëve me precedent penal, si edhe çështje që kanë të bëjnë me rendin publik”.
Ministri Lleshaj bëri thirrje për bashkëpunim më të madh mes qytetarëve dhe Policisë së Shtetit me qëllim për parandalimin e situatave të padëshiruara. ”Gjej rastin që t’i bëjë thirrje qytetarëve për të rritur bashkëpunimin me policinë këto ditë, nënkuptojë me këtë informimin, për ato raste që shqetësojnë sigurinë dhe qetësinë publike. Polica e Shtetit është e angazhuar me një prani të shtuar në territor për t’ju përgjigjur qytetarëve”.