Rënia e euros, Angjeli: S’ka vend për panik, por duhet trajtuar me maturi
Referuar uljes së euros në tregun shqiptar dhe efekteve që ajo ka në ekonominë e vendit, Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave do të thërrasë në dëgjesë guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe Ministrin e Financave.
Eksperti që njeh mirë politikat ekonomike, Anastas Angjeli në një intervistë për televizionin SCAN, u shpreh se nuk ka vend për panik.
Sipas ish-ministrit të Financave fenomene të tilla monetare duhet të trajtohen me profesionalizëm dhe maturi.
“Këtu duhet pasur më shumë kujdes, sidomos në deklaratat publike të bëra nga politika, apo kushdo tjetër, për arsyen se fenomenet monetare dhe financiare kanë një efekt psikologjik të jashtëzakonshme, dhe këtu nuk i duhet vënë shkrepësen zjarrit, por përkundrazi, janë probleme që duhen të trajtohen me profesionalizëm, me maturi, me qetësi, me bashkëpunim të institucioneve të brendshme, dhe në bashkëpunim edhe me institucione ndërkomëbtare që e kanë rekomanduar këtë fenomen. Banka e Shqipërisë ka një program për de-eurozimin e ekonomisë shqiptare, për ato arsye që janë shpjeguar, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare, me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me BE-në. Banka, si një institucion besimi, ka autoritetin e plotë me organet e saj drejtuese, ta shqyrtojë me vëmendje dhe ta analizojë me shumë kujdes për të ndërhyrë me instrumentat e saj legjitimë për të realizuar objektivat e programit të saj për de-eurozimin në mënyrë që të krijojë efekte sa më minimale”- theksoi Angjeli.
Gjatë këtij procesi duhet që të merren në konsideratë institucionet monetare ndërkombëtare pasi mund të kemi edhe ndikim të faktorëve të jashtëm siç është euroskepticizmi, apo sezoni i ri turistik.
“Një euro-skepticizëm në Itali mund të ndikojë në këtë çështje. Së dyti, ne jemi përballë një sezoni të ri turistik, ku parashikohet ende të futet një sasi e konsiderueshme eurosh gjatë kësaj periudhe. Të dy këto elemente shkojnë në krah të kundërt me masat që duhet të marrë Banka. Në këto kushte, unë mendoj se serioziteti duhet të jetë në shkallën maksimale me qëllim që të kemi një minimizim të efekteve dhe goditjeve që mund të shkaktojë ky fenomen në ekonominë tonë”- shprehet Angjeli.
Rënia e euros në tregun shqiptar po vijon prej disa muajsh, ndërkohë që po merren masa nga institucionet përkatëse për të minimizuar efektet në ekonominë e vendit.
KOHA JONË SONDAZH

