Rënia e lavdishme e Murinjos!

 

Multimiliarderi rus Abramoviç, e largon nga drejtimi i “Çelsit”  

Nga Skifter Këlliçi

Ndodhi ajo që ziente prej ditësh në shtypin sportiv botëror, Murinjo nuk do të jetë më trajneri i Çelsit. Në një takim rrufe që u zhvillua gjatë javës në zyrat e këtij klubi të lashtë anglez, me “mirëkuptim” nga të dyja palët, pra, nga një anë e drejtuesve të klubit në fjalë dhe vetë Murinjos, u vendos që ky i fundit të mos jetë më trajner.  Arsyeja është shumë e thjeshtë: rezultatet shumë të dobëta  në kampionatin anglez të këtij viti-15 pikë në 16 ndeshje, 9 humbje. Dhe vendi i 16-të në renditje…

Në intervistat e dhëna lart e poshtë gjatë ditëve të fundit Murinjo shprehej hapur se po të largohej, klubi do të humbiste trajnerin mirë gjatë gjithë historisë së tij, dhe para disa ditësh se edhe pse në një gjendje të tillë “zoti Abramoviç, për  do t’i jepte mundësi drejtonte Çelsin. Së pari për t’u futur në katërshen e parë.  Por humbjet po pasonin njëra-tjetrën dhe pas humbjes me Leiçesterin, skuadër e ardhur nga kategoria e dytë, “kupa mesa duket u mbush plot e përplot” … dhe kështu kësaj historie i erdhi fundi…edhe për arsye të vjetra që i kam përmendur “Çelsit  të Murinjos ka humbur …siç ishte botuar para disa javëve në faqet e kësaj gazetë.. , nga i cilin po shkëpus disa fakte:

Skandalin  pasi pushoi nga puna mjeken e skuadrës Karneiro kur ajo gjatë një ndeshje me Suonsin në stadiumin “Stamford Brixh” të Londrës  u fut në fushë për  të ndihmuar futbollistin Azar, të dëmtuar, duke e lënë skuadrën me 9 futbollistë meqë një tjetër vazhdonte të ishte i dëmtuar, flakja në tribunë me neveri e Medaljes së Argjendtë iu dha atij dhe lojtarëve të Çelsit pas finales së humbur në takimin me “Arsenalin” për Superkupën angleze, dëbimi disa herë nga gjyqtarët për sjelljen edhe veprime të pahijshme gjatë ndeshjes…

Po cili është Murinjo, i mbiquajtur “Special one” (I veçanti), cila është rruga që e solli atë në majat e futbollit europian…

Aventura e tij nis  me  “Porto”, Kampione e Portugalisë për sezonin  2002-‘03, e cila fitoi të drejtën të luante  në Ligën e Kampionëve. U rendit e dyta pas Realit në ndeshjet në grupe, por pastaj mënjanoi në fazën finale “Mançester Junajted” (2-1, 1-1), ”Lionin”,  (2-0, 2-2), “Deportivo la Korunjën” (0-0, 1-0) dhe në finale u ndodh para skuadrës franceze, … “Monako”, që papritur kishte mposhtur “Çelsin”. (3-1, 2-2 )… Dhe nuk iu desh veçse të bënte në këtë finale një shëtitje turistike, (3-0), që ta zotëronte Kupën e Kampioneve si “Benfika” dikur…Një nga edicionet më të dobëta të Ligës së Kampioneve. Por kjo nuk e pengoi multi-miliarderin Abramoviç, që ta ftonte për të drejtuar “Çelsin”, me ambicie për suksese dhe vetëm suksese.

Mirëpo, që të arrish sukses, duhet të kesh…. lojtarë, të cilët Murinjo ia kërkoi superbosit  të tij rus me ngut të madh. Dhe ai me një të tundur  të kokës i hapi rrugë: Portieri Ceh, (Çeki), dhe bashkatdhetari  tij, Jaroshek, portugezët, Fernadez dhe Olivera dhe, mbi të gjithë, holandezi Roben bashkë me bregfildishasin Drogba, “i rrëmbyer” nga Marseja, u vunë në radhë para betejave të  Murinjo –Napoleonit që nisi me ‘ta serinë e fitoreve, të cilat e shpunë “Çelsin” për herë të parë  pas gjysmë shekulli në poltronën e Kampiones së Anglisë. Bujë e madhe në Londër, sidoqë në Kupën e Kampionëve “Çelsi” i Murinjos u mënjanua më gjysmëfinale nga “Liverpuli” i Benitezit.

Në sezonin 2005-‘06 Murinjo kërkon përsëri përforcime dhe përsëri Abramoviç me një të tundur të kokës plotëson lakmitë e tij përvëlake; tani ai që do të mbiquhet “Special One”, ka në dispozicion edhe ganezin Esien, francezin Diara, zviceranin Filips, gjermanin Huth … dhe sërishmi “Çelsi” është kampion, në një kohë që  Murinjon nuk e ha fare meraku se rrethi lojtarëve  pa….Angli – Terri, Koul, Lampard Xhonson, Brixh… po ngushtohet gjithnjë e me shumë, ose tani ata mbeten më shpesh në stol, për t’u zëvendësuar nga ndërkombëtarët e mësipërm “jabanxhinj”.

Nami i Murinjos rritet. Biri i një ish-portieri modest në Setubal, qytet, ku Murinjo ka lindur, pastaj vetë futbollist i stërvitur nga i ati, por pa të ardhme, ai nis e studion skemat taktike, merret me statistikë sportive, arrin të bëhet ndihmës dhe përkthyes i anglezit të famshëm Robson, që drejton “Barcelonën”, studion për futboll në Skoci, bëhet profesor i kulturës fizike, për të tërhequr më pas vëmendjen e botës së futbollit, siç e pamë me “Porton”, më 2004-n.

Por prapë në Kupën e Kampionëve të sezonit 2005-‘06 është “Barcelona” që ia këput ëndrrat për t’u bërë Kampion i Europës.

Pozitat e Murinjos lëkunden, kur nuk e fillon mbarë Premier Ligën e sezonit 2006-‘07. Këtë radhë Abramoviçi që e ka ngritur në qiell, ai që me një të tundur të kokës, siç e pamë ia ka plotësuar çdo lakmi, përsëri  tund kokën, por, për ta dëbuar, sidoqë në paqe dhe, mbi të gjitha… padrejtësisht. Po kështu e kanë miliardero-presidentët!….

Mbetet në asistencë për disa muaj, kur, papritur për të kujtohet një tjetër “Abramoviç”- italiani Morati, një ndër  perandorët e vajgurit në Europë  që me fshehtësinë  më të madhe, që të mos e marrë vesh askush dhe veçanërisht Mançini, trajneri i “Interit”, në pranverë të 2008-s i kërkon që pasi të dëbojë këtë të fundit, të jetë trajner i skuadrës së tij, me një  pagë prej 10 milionë eurosh në vit.  Dhe Murinjo, s’do mend, pranon, i futet italishtes që, si gjuhë neolatine, disi e përafërt me portugezen  dhe me spanjishten, të cilën  e ka si gjuhë të dytë, e “than” aq  mirë, sa habit jo vetëm Moratin, por edhe vetë italianët, kur jep “serbes” intervista në radio e tv.

Kështu Murinjo bëhet “kallauz” i një skuadre italiane, pa ..italianë, sepse edhe ndonjë  kokërr si Materaci, që ka qenë edhe kampion bote më 2006 dhe ka shënuar golin e barazimit me kokë në takimin final me  Francën, që solli 11-metërshin e fituar pastaj nga axurrët, mbetet në stol. Po kjo nuk  prish punë  “Special One”-s, që është mësuar me këtë “tabijat” të tij dhe të presidentëve, qysh me “Porton” e pastaj  me “Çelsin”.

Duke vazhduar punën e Mançinit, Murinjo fiton edhe kampionatin e këtij sezoni dhe në sezonin e ri 2009-‘10, për “forcë zakoni” kërkon të tjerë lojtarë, por jo italianë, sepse se ata nuk ia mbushin syrin. Kështu, pasi ka përcjellë  “ëmblas” argjentinasin Kruz, bashkatdhetarin e vet legjendar, Figo, uruguaianin Rekoba etj., me të ardhur shtatori, ai bën “pazar të rrufeshëm: Murinjo- Napoleonit i shtohen menjëherë  “ushtaro- oficerë” me reputacion mbarëbotëror; në mbrojtje, veç brazilianit Majkon, vjen braziliani tjetër Lusio, mesfushori holandez Snajder, mesfushori tjetër brazilian Tiago Mota, sulmuesit Milito, (Argjentinë), Pandev, (Maqedoni) dhe në vend të Ibrahimoviç  që largohet i  pakënaqur, sepse “Interi”  fiton, por nuk luan mirë, ndonëse më këta goxha lojtarë, prapë se prapë e këmben atë me Eton e “Barcelonës”. Plot pesë lojtarë brenda pak kohësh! Të gjithë të huaj! Dhe “Interi” fiton, ndonëse këtë herë sharra i has në gozhdë.

 Kur edhe pas fazës së parë të sezonit 2009-‘10, udhëhiqte kampionatin me 8 pikë për “Special Ones” filloi “rënia e lirë”: “Sampdoria” – “Inter” 0-0, “Katania”- “Inter” 3-1, “Xhenova”-“Inter”0-0, “Palermo”-“Inter” 1-1 dhe më 28 mars 2010, “Roma-“Inter”, në stadiumin “Olimpik”  2-1.

Me këtë fitore, pas këtyre rezultateve skandaloze  të “Inter”, të cilin Murinjo ka pasur guximin ta quante “skuadra ime fantastike, yllësore”, Roma me një pikë më shumë, ishte kampione. Por më 25 prill çuditërisht para tifozëve të saj, pasi udhëhiqte në pjesën e parë 1-0, në pjesën e dytë, e dehur nga suksesi, lejoi që Pacini të shënonte dy gola dhe Murinjo, i  trembur deri atë çast për reputacionin e tij si “speshëll-uan” që po venitej, fitoi në Bergamo kundër “Atalantës “3-1, u ngjit kështu  2 pikë më lart  se skuadra e Ranierit dhe meqë kjo largësi mbeti deri në fund të kampionatit, “Inter” u shpall për…inerci kampion. Pra, këtu nuk fitoi as skuadra, as trajneri Murinjo, por fitoi rastësia.

 Ndaj Murinjo, kur ngriti kupën, duhej të deklaronte botërisht: “Faleminderit, Pacini, faleminderit, “Sampdoria”, sepse kupa na mbeti në dorë falë jush!…”.

Një aksiomë që nuk ka nevojë për vërtetim. Një sezon i “Inter” pa shkëlqim, një rrezatimi i mjegulluar i Murinjos, i cili, pra me tetë pikë më shumë se “Roma”, katandisi ta fitonte kampionatin në këtë mënyrë. Një ngadhënjim mjeran!…Kjo nuk duhej t’i ndodhte kurrë një trajneri që pretendon të jetë “i veçanti…”, për më tepër me lojtarë nga më të mirët  e botës, të cilët nga ana tjetër për arsye objektive ose subjektive, nuk qenë në gjendje  të zbatonin zbatuan udhëzimet e tij.

 Për mendimin tim edhe Kupën e Kampionëve të sezonit 2009-‘10 që u mbyll me finalen kundër  “Bajernit”, “Interi”, në një mënyrë ose një tjetër  e ka dhuratë nga  gjyqtarët. Në takimin e kthimit  kundër “Barcelonës”, në Milano, kur rezultati ishte 2-1 për interistët, Milito shënoi  golin e tretë, kur  vetëm një gjyqtar miop  nuk mund të dallonte se ai u ndodh para portës kundërshtare të paktën një metër  jashtë loje. Por gjyqtari  bëri shenjë që topi të vihej në qendër: 3-1, (ndeshja e parë në Barcelonë 0-1,pra 3-2) dhe “Interi” i Murinjos  u ndodh në finale me “Bajernin”, kur, siç kam shkruar një artikull tjetër, duhej të ishte “Mancester Juaited”  përballë interistëve. Por djemtë e Fergusonit që kishin humbur për gabime naïve në Mynih (2-1), në ndeshjen e kthimit udhëhiqnin në pjesën e parë 3-1 dhe u detyruan të luanin në pjesën dërmuese të pjesës së dytë me një lojtar më pak, sepse mbrojtësi Rafael u dëbua nga fusha për një ndërhyrje pa mend, duke  dhënë mundësi kundërshtarit të shënonte edhe  një gol, (3-2), që solli mënjanimin e kësaj skuadre të denjë për finalen përballë së cilës “Interi” do ta kishte  pasur shumë pisk dhe nuk  do të ishte aspak çudi që të kishte humbur.

Duke përjashtuar dy ndeshjet me “Çelsin”në çerekfinalet e Kupës së Kampionëve, ku ai u hakmor me meritë ndaj ish -skuadrës së tij të drejtuar nga Ançeloti, vështirë të kujtosh dy pjesë bashkë të një ndeshjeje, ku “Inter” i tij të ketë zhvilluar me të vërtetë lojë të rrjedhshme  dhe të  bukur. Vetë pohimet e Ibrahimoviçit dhe të Etos që kam përmendur edhe më parë, si edhe në këtë artikull, e dëshmojnë këtë.

 Kam bindjen se “Inter” nuk do të mund të fitonte shumë në sezonin 2009-‘10, qoftë edhe për një fakt të thjeshtë: Ku do të gjente një lojtar si “princi” Milito, që t’i  shënonte, siç shënoi  golat 22 gola në kampionat dhe tre golat e fundit në Champions kundër “Barcelonës” dhe “Bajern”?

Ta ndjekim tani Murinjon në Spanjë…

Nuk di arsyen sepse Morati e la atë të fluturonte te “Reali”,  kur për dy vjet Murinjo fitoi dy kampionate dhe Championsin  e pritur…pas 45 vjetësh dhe me atë regjiment  “mërgimtarësh  pasunarë” mund të fitonte, në mos këtë trofe, përsëri kampionatin italian.

Sipas kontratës, Murinjo duhej  të mbetej te “Interi” deri në vitin 2012. Por hamendësoj se super-bosit italian, pavarësisht se nuk e ka shprehur hapur, nuk i kanë pëlqyer veprimet  e pahijshme e Murinjos, që disa herë është dëbuar nga gjyqtarët të qëndrojë në tribunë, sidomos rasti kur për një gabim, sipas tij të një gjyqtari, ai ngriti duart e kryqëzuara lart, si të dëshmonte se gjyqtari në fjalë duhej kallur në burg, pamje të të cilave i kemi parë jo rrallë në ekranet e TV-ve, deklaratat e tij arrogante ndaj tyre, ndaj kolegëve të tij trajnerë, si dhe gazetarëve…, të cilat do t’i vazhdonte edhe në Spanjë.

Kur në pranverë të vitit 2008-‘09 “Sampdoria” mundi “Inter”, (3-0, pa Ibrahimoviç), në takimin e parë  për Kupën e Italisë në Gjenovë dhe kur Maxarri, trajneri  i gjenovezëve, që tani drejton “Napolin”, deklaroi se edhe ai ishte në gjendje ta drejtonte po me aq sukses “Inter”, sepse kishte lojtarë të nivelit botëror, të mbledhur anekënd botës, Murinjo ia priti me ironi, siç ndodh jo rrallë me të, se kjo ishte utopi dhe se në ndeshjen e kthimit do t’i jepte atij një mësim të mirë atij. (Megjithatë, “Inter” edhe me Ibrahimoviç  fitoi vetëm 1-0- dhe u mënjanua nga Kupa).

Kështu pra, me të mbërritur në shtatmadhorinë e “Realit , me t’u takuar me Presidentin Perez, që kishte larguar pelegrinin për drejtim të dobët të skuadrës, (por harronte që Kaka dhe Ronaldo dy më të mirët, në pjesën më të madhe të ndeshjeve qenë hijet e tyre). Murinjo i kërkoi atij pa ngurruar një grimë… përforcime. Dhe Perezi, si Abramoviçi dhe më pas Morati, nuk ia prishi “speshell uanit” këtë huq. Por këtë radhë ai  nuk tundi kokën se, siç duket e quajti të tepërt, por vetëm sa… puliti sytë dhe kësisoj  në klanin madrilen veç e kur  ia behën, ashtu si te  “Interi” një vit  më parë, Lucio, Snejderi, Tiago Mota Milito, Pandevi, Etoja, që kemi zënë në gojë  në këtë artikull, pra “una bella compania”: gjermano-turku Ozil, gjermano -marokeni Kedira, argjentinasi Di Maria, për të cilët Murinjos i kishte shkuar goja lëng tek i kishte parë në Botërorin Jug-afrikan 2010 dhe bashkatdhetarin Karvajo, që e njihte dhëmbë e dhëmballë, se e kishte pasur në “vathën” e vet, kur drejtonte “Çelsin”. Pra, e pasuroi skuadrën rreth 35 për qind. Dhe po të shtojmë  dhe Kakanë, që pas një konvaleshence të gjatë u duk sërishmi në fushë, “Reali” i ngjason pak a shumë “Interit” me vetëm portierin Kasiajas, Arbeloan, Alonson dhe Ramosin spanjollë, të cilët nuk është çudi që po të qëndrojë gjatë në këtë skuadër t’i zëvendësojë edhe ata me të huaj…

Dhe, megjithatë, siç e pamë  “Reali” i tij mbeti pas “Barcelonës”…skuadrës së mbi quajtur ndërplanetare…

Edhe këtë sezon Murinjo, pasi ç’është e vërteta mori edhe tek-tuk futbollistë spanjollë, prapë se prapë nuk hoqi dorë nga zakoni i vjetër: bleu me milionat e Presidentit Perez bashkatdhetarin Koentrao, turkun Altintop, francezin Verane …dhe në janar të vitit të ardhshëm pret të blejë 19-vjeçarin brazilian Neimar, që cilësohet trashëgimtari i  Pele, Maradonës dhe Mesit. Kështu që, nuk është çudi që “Reali” i Murinjos të fitojë këtë sezon kampionatin spanjoll dhe  Champions Ligën…sepse ç’është e vërteta këtë sezon skuadra ka një rritje të dukshme cilësore.

Fiton kampionatin spanjoll të vitit 2012-‘13, por nuk arrin t’i japë për të dhjetën herë këtij klubi Kupën e Champions Ligën… Dhe Presidenti Peres e largon nga “Reali” veç të tjerash edhe për sjelljet e tij të pahijshme dhe për grindje me disa  nga lojtarët.. huq i vjetër i tij… Peresi nuk  harron sjelljet  rrugaçërore të Murinjos  para kamerave, sidomos atë  që ndodhi në gusht të vitit 2012 kur pas ndeshjes së humbur me “Barcelonën” për Superkupën spanjolle, i futi gishtin në sy Vilanovës, zv/trajner i skuadrës kundërshtare dhe u dënua kështu për  të 20-tën herë me gjobë e cila, duke shtuar dhe gjobat e tjera për sjellje skandaloze, të arrin shumën prej 800 mijë eurosh…

 I ndodhur pa punë është Abramoviçi që e fton këtë “djalë plëngprishës” të kthehet sërishmi në shtëpinë e vet. Por me sa duket  që të mos përsërisë huqet e mëparshme. Mirëpo “ujku qimen e ndërron, por  zakonin jo”.

Dhe kështu Mou vazhdon  me terbjetet e veta  mëkatore… Ndonëse në sezonin e 2014-‘15 fiton me “Çelsin” kampionatin, që është një kompensim pas mënjanimit në çerekfinale të Champions League nga Paris Sent  Zhermani i Ibrahimoviçit.

Se ç’ndodhi gjatë këtij sezoni kjo tashmë është një histori tragji-komike e Murinjos që tashmë e dimë, ndonëse Murinjo thekson se shumë nga ato që ndodhën ishin pasojë edhe disa futbollistëve që e “tradhtuan” ose shkoqur që nuk e duan..

Tash “Special one” është i papunë, por shumë i pasur. Sipas kontratës së zgjidhur, Abramoviçi  do ta shpërblejë atë me as më shumë dhe as më pak se rreth 40 milionë euro!..

Ai do të zëvendësohet deri në fund të këtij sezoni nga holandezi Hidink. A do të bëjë pushime që të shijojë këtë “papunësi” , apo do të gjejë ndonjë një skuadër tjetër, këtë e di ai vetë. Por një gjë ka rëndësi: A do të rikthehet në stadiume me të tjera mendësi?…

SHKARKO APP