Rënie drastike e çmimit të karburantit nëpër botë, në Shqipëri 3 herë më shtrenjtë se në SHBA
Çmimi naftës dhe benzinës ka pësuar një rënie drastike në të gjithë botën, në një kohë kur të gjitha shtetet po përballen me pandeminë e koronavirusit.
Sipas të dhënave zyrtare, nafta bruto ka rënë me rreth 64 përqind që nga fillimi i vitit, rënie që kulmoi këtë javë ku një fuqi shitet 25.88 dollarë. Por zhvillimet ndërkombëtare nuk janë reflektuar në Shqipëri, e cila mban rekordin e zi për çmimet më të larta në botë.
Siç mund ta shihni në foton e mëposhtme në SHBA një Gallon që është 3 litër e 785 gramë kushton 1.65 dollarë, ose 45 cent (dollari) për litër benzinë.
Edhe në Britaninë e Madhe, çmimet e karburanteve kanë parë rënien e tyre më të madhe javore, në më pak se 1 paund për litër, thotë Daily Express.
Ekspertët mendojnë se çmimet në pikat e karburanteve do të vazhdojnë të bien për shkak të efektit të kombinuar të bllokimit nga koronavirusi dhe një lufte tregtare. Shifrat zyrtare treguan se kostoja mesatare e një litri benzinë ishte 1.12 paund të hënën, krahasuar me 1.20 shtatë ditë më parë.
Një pikë karburanti në Maypole, Birmingham, e shiti naftën për vetëm 96.7 pens për litër. Rënia mesatare është rënia më e madhe javore në para kesh, por edhe terma përqindjeje si për benzinën, ashtu dhe për naftën në vend, sipas të dhënave që datojnë që nga qershori 2003.
Çmimi i naftës me shumicë ka rënë në mbarë Europën që prej shpërthimit të epidemisë së Covid 19. Ai kishte marrë ndërkohë një goditje që pasi Arabia Saudite – vendi i dytë më i madh i naftës në botë që prodhon rreth 10 përqind të furnizimit global, vendosi të ulë çmimet dhe të rrisë prodhimin në një luftë tregtare me prodhuesin e tretë në listë, Rusinë.
Nafta bruto Brent, më e përdorura në treg, ka rënë me rreth 64 përqind që nga fillimi i vitit. Ajo ka mbërritur të shitet 25.88 dollarë fuçia.
Shqipëria, çmimet më të larta në botë
Në mënyrë paradoksale, Shqipëria e varfër, vazhdon të mbajë rekordin e zi, si një ndër shtetet me çmimin më të lartë të naftës në botës.
Zhvillimet ndërkombëtare nuk janë reflektuar në vendin tonë, ku çmimi i karburantit këtu vazhdon të mbetet stratosferik, kontretisht 177 lekë litri i naftës dhe 178 litri i benzinës.
Kjo pavarësisht faktit që paniku i shkaktuar prej Covid 19, si edhe masat e rrepta të izolimi të marra nga qeveria, kanë çuar në uljen e konsumit të naftës, i cili që në javën e dytë të marsit ishte reduktuar me të paktën 10%.
Nëse u referohemi shifrave, shqiptarët e varfër duhet të paguajnë 3 herë më shumë se amerikanë dhe 2 herë më shumë se britanikët, dy prej ekonomive më të mëdha në botë.
Paradoks i tmerrshëm.