Reportazhi i RAI-t “turp gazetaresk”/ Spaho i kthehet Ramës: Turp të kesh ti, e ke kthyer vendin në kazan droge
“Turp të kesh ti që e ke kthyer vendin tënd në kazan droge që na tregojnë të gjithë me gisht”.
Me këto fjalë i është drejtuar nënkryetari i Partisë Demokratike Edmond Spaho, kryeministrit Edi Rama, teksa ky i fundit e quajti një “turp gazetaresk” reportazhin e televizionit publik italian “RAI 3”, i cili denoncoi dje 12-fishimin e sasisë së kultivuar të kanabisit në vendin tonë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Spaho, ndër të tjera, teksa ironizon Ramëm duke thënë se e “pastroi” Shqipërinë nga droga, por “RAI 3” thotë që e ka 12 fishuar sipërfaqen e mbjellë. Rama zhvillon zgjedhje “shembullore”, thotë Spaho, por e përditshmja gjermane “Bild” i thotë je hajdut zgjedhjesh.
Spaho shprehet se Rama e shpenzon buxhetin në koncensione për “të mirën” e vendit, por thotë ai, është FMN-ja që i thotë Ramës se po rrënon ekonominë.
“Po qe për Guardia di Finanza-n i pamë edhe në vitin 2016, kur deklaronin që 99.95% e drogës së mbjellë u asgjësua. Në të vërtetë droga u mboll, u rrit, u korr, u vol, u paketua dhe nëpërmjet ujit, ajrit, tokës, udhëtoi dhe u shit në Europë. Turp të kesh ti që e ke kthyer vendin tënd në kazan droge, që na tregojnë të gjithë me gisht. Vetëm Ramës i ndodh që i bën “të mira” Shqipërisë dhe prapë e kritikojnë. E “pastroi” Shqipërinë nga droga, por “RAI 3” thotë që e ka 12-fishuar sipërfaqen e mbjellë. Zhvillon zgjedhje “shembullore”, por “Bild”-i i thotë je hajdut zgjedhjesh. E shpenzon buxhetin në koncensione për “të mirën” e vendit, por FMN-ja i thotë po rrënon ekonominë. Inicion “Minishengenin” që shqiptarët të lëvizin “të lirë” nëpër Jugosllavi, por ata në këmbim i thonë tradhtar. Ai i ka “hapur” negociatat me BE-në nja tre-katër herë, kurse Bundestagu kërkon qiqra në hell dhe vendos 9 kushte. Ai vendos deputetë dhe kryebashkiakë deli burra, opozita i thotë i ke kriminelë dhe zuzarë. Ai bën ligje për “lirinë” e fjalës, por 12 organizata ndërkombëtare të medias i thonë diktator dhe vrasës i fjalës së lirë. Çudi, askush nuk e kupton këtë farë burri dhe të gjithë duan që të ikë një orë e më parë!”, u shprehet në reagimin e tij, nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho.