Reshje shiu në mbarë vendin, ARRSH: Kujdes në qarkullim
Reshjet e shiut kanë përshkuar vendin duke sjellë rënie gurësh e inertesh të cilat janë pastruar menjëherë pa sjellë probleme në qarkullimin e mjeteve.
Në aksin Ura e Zapodit-Shishtavec, në Bogë-Theth dhe në Tamarë-Vermosh ka pasur reshje dëbore, ku grupet e punës me mjetet borëpastruese kanë bërë pastrimin e rrugës. Në Kukës, ka stuhi me erëra të forta e me shi që kanë sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave.
Mjetet e vogla kanë vështirësi në qarkullim, ndërsa të gjitha akset nacionale rrugore vazhdojnë të jenë nën trysninë e rënies së gurëve dhe inerteve.
ARRSH bën thirrje drejtuesve të mjeteve të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit për shkak të lagështisë në rrugë. Në pjesën më të madhe të vendit reshjet janë në formë shiu. Sipas shërbimit meteorologjik ushtarak, paqëndrueshmëria e motit do të vijojë gjatë gjithë fundjavës.