Reshjet. Bashkia e Tiranës: Ja 8 rrugët që do bllokohen

 

Përmes një deklarate Bashkia e Kryeqytetit ka bërë të ditur se këtë të mërkurë sasia e reshjeve të shiut do të jetë mjaft e madhe. Kësisoj, ka paralajmëruar të gjithë qytetarët dhe shoferët në Tiranë për rrugët që mund të bllokohen.

Sipas bashkisë, tetë rrugët më problematike dhe me mundësi më të lartë të bllokimit të tyre janë: “Siri Kodra”, “Don Bosko”, “Imer Ndregjoni”, “Rruga e Kavajës”, “Myslym Shyri”, rruga “Bardhyl”, “Rruga e Dibrës” si dhe segmenti i Unazës, sidomos segmenti “Vasil Shanto” dhe “21 Dhjetori”.

Në lidhje me eleminimin e kësaj problematike bashkia e Tiranës këshillon qytetarët e saj që të minimizojnë lëvizjet e tyre ditën e sotme, për të shmangur trafikun e rënduar që mund të krijohet për shkak të reshjeve si dhe bllokimin e rrugëve.

Gjithashtu,  Bashkia u ka kërkuar linjës së transportit publik që të shtojnë numrin e autobusëve në qarkullim. Ndër të tjera, ajo u bën thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm dhe të shmangin kalimin pranë lumenjve në zonat periferike të Tiranës.

Në raste emergjencash, qytetarët të kontaktojnë Bashkinë e Tiranës në numrin 0800 0888 (nga numrat fiks), Policinë Bashkiake në numrin 04 24 19 465 dhe Zjarrfikëset në numrin 129.

SHKARKO APP