Reshjet e dendura të shiut, Partia e Lirisë: Me qindra hektarë tokë, dëme të parikuperueshme

Reshjet e dendura të shiut në Korçë, kanë shkaktuar problematika të shumta në tokat e mbjella, duke shkaktuar dëme të mëdha. Në një reagim për mediat, anëtarja e Kryesisë së Partisë së Lirisë, Ismeralda Seidolli, tha se fermerët e Korçës janë në mëshirë të fatit. Ajo i bën thirrje institucioneve shtetërore për të mbështetur fermerët në mënyrë që të përballojnë këtë sfidë.

DEKLARATA

Jam në këtë deklaratë për mediat, për të raportuar situatën e vështirë me të cilën po përballen sot fermerët e Korçës, si rrjedhojë e reshjeve të dendura të shiut.

Me qindra hektarë tokë, kryesisht elb dhe grurë kanë pësuar dëme të parikuperueshme si pasojë e stuhive që kanë përfshirë qarkun e Korçës ditët e fundit. Nga ana tjetër, problematikat e mbartura që vazhdon të ketë sistemi i kullimit, ndihmuan në përmbytjen e siperfaqeve bujqësore, duke dëmtuar kulturat bujqësore të stinës.

Po ashtu, prurjet e mëdha të përrenjve dhe lumenjve që kanë dalë nga shtrati, kanë zbritur inerte në rrugët e fshatit dhe tokat bujqësore, dhe kanë dëmtuar bazën ushqimore dhe materiale në disa stalla. Si rrjedhojë e kësaj situate, fermeri i Korçës sot ndodhet në mëshirë të fatit.

Përmbytja e qindra hektarëve tokë, se bashku me dëmtimin e kulturave bujqësore, ka shkaktuar edhe një dëm të madh ekonomik për fermerët. Investimi financiar i fermerëve deri në këtë fazë është i pakthyeshëm. Pa përmendur faktin sesi mungesa e prodhimit vendas do të ndikojë mbi konsumatorin dhe tregun, sot fermeri i Korçës është në humbje në aspektin ekonomik.

Prandaj i bëj thirrje Ministrisë së Bujqësisë, të ngrejë një grup ekspertësh për të bërë vlerësimin e dëmit ekonomik të fermerit. I bëj thirrje instancave përkatëse, për mbështetje shtesë financiare dhe këshillim profesional për fermerin, si dhe ndihmë nga institucionet qeveritare për të përballuar këtë sfidë dhe për të ristrukturuar aktivitetin bujqësor në mënyrë që të sigurojë qëndrueshmëri ekonomike për të gjithë fermerët dhe të ardhmen e tyre. Faleminderit

SHKARKO APP