Reshjet e shiut dëmtojnë çatinë e spitalit në Pukë, dalin jashtë funksionit Pediatria dhe Patologjia
Moti i keq dhe rrebeshet e shiut që përfshinë vendin gjatë natës kanë krijuar problematika në Pukë. Era e fortë dhe rrebeshet kanë dëmtuar çatinë e spitalit rajonal të Pukës.
Si pasojë e erës së fortë, çatia e spitalit bashkiak “Elez Selimi” në Pukë u dëmtua plotësisht duke detyruar që gjate mesnatës të bëhej evakuimi i pacientëve nga repartet e patologjisë dhe pediatrisë. Uji ka depërtuar në brendësi të pavijoneve ndërsa po shikohet mundësia e mbylljes së përkohshme të spitalit deri në gjetjen e një zgjidhje.
Stuhia ka shkaktuar dëmtime dhe në rrjetin energjetik, duke i lënë banorët në Pukë pa energji prej mbrëmjes së kaluar, teksa janë shkaktuar dhe rrëshqitje dherash në akset rrugore.
Problematika janë shfaqur edhe në Bulqizë, pasi disa fshatra kanë mbetur pa energji elektrike. Në aksin e rrugës së Arbrit në fshatin Kajamk ka pasur edhe rrëshqitje gurësh.
Instituti i Gjeoshkencave dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak parashikojnë se sot priten reshje “intensive” deri “shumë intensive” në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Tiranë dhe Elbasan.
KOHA JONË SONDAZH

