Reshjet shkatërrojnë rrugën provizore mbi lumë, izolohen dy fshatra në Dropull
Banorët e fshatrave Llongo dhe Koshovicë në Bashkinë e Dropullit janë izoluar dhe po detyrohen të udhëtojnë disa kilometra në këmbë për të marrë shërbimet që kanë nevojë. Ura që lidh fshatrat u shemb dy vjet më parë, ndërsa reshjet e fundit kanë prishur edhe kalimin provizor që ata kishin ndërtuar mbi lum!
Kjo urë që lidhte dy fshatrat Llongo dhe Koshovicë në Bashkinë e Dropullit u shemb në vitin 2017.
Në kushtet e izolimit, 400 banorët e fshatrave i lidhën dy anët e urës duke vendosur këto blloqe betoni në mes të lumit.
Zgjidhja ekstreme funksionoi për gati dy vjet, por shirat e rrëmbyeshëm të ditëve të fundit i morën blloqet e betonit.
“Ura ka 3 vjet që e ka marrë lumi, nuk është rregulluar. Provizorisht kemi vënë disa elementë, një urë provizore, por me shiun e madh i mori elementët dhe u bllokuan dy fshatra”
Banorët mbetën të izoluar sërish dhe tani detyrohen të ecin disa kilometra në këmbë për tu furnizuar me ushqime në fshatin Sotir.
Edhe për disa muaj lëvizja e këtyre banorëve do të jetë e vështirë.
“Projekti ka kaluar dhe nga këshilli bashkiak dhe nga viti i ri do të fillojë rikonstruksioni i urës së vjetër”
Por bashkia e Dropullit thotë se zgjidhja përfundimtare do të ti jepet vitin tjetër kur Ura do të rindërtohet.
Reshjet intensive të shiut dhe vërshimi i prurjeve ka dëmtuar disa ura në Bashkinë minoritare të Dropullit ku qindra familje rrezikojnë izolimin.