”Restorantet VIP që kanë rritur çmimet ia kanë futur vetes”, Rama: Do i detyrojmë të gjithë që çmimet t’i vendosin në hyrje
Kryeministri Edi Rama, në takimin me qytetarët në Himarë ku prezantoi edhe kandidatin për kryetar në këtë bashki për zgjedhjet që do të mbahen këtë të dielë, foli edhe për rritjen e çmimeve. Rama tha se restorantet VIP që kanë qenë shumë të frekuentuar më parë dhe kanë rritur çmimet ia kanë futur vetes.
”Jo që s’ka rënie, por turistët e huaj, krahasuar me vjet janë rritur 150%. Por, ku është problemi. Patjetër që në vende të caktuara dhe këtu po marr Palasën apo Ksamilin, ku buja u bë shumë e madhe, ka pasur dhe një kërcim irracional të çmimeve, por kjo është çështja e tregut në fund të fundit, ti e synon dhe pastaj ta jep tregu kokës. Thotë prit se po të ishte kaq kollaj, hajde se po i rrisnim të gjithë, por nuk është kaq kollaj.
Gjëja kryesore është se hotelet janë super plot, ndërkohë që numri i restoranteve është rritur shumë më tepër se sa shtretërit. Ka shumë ofertë. Restorante që kanë qenë shumë të frekuentuar më parë, kanë rritur çmimet dhe ia kanë futur vetes, se njerëz janë zhvendosur në restorante të tjera më pak të njohura, por më të arsyeshme. Do ti detyrojmë të gjithë që çmimet t’i bëjnë në hyrje, që unë të di çfarë paguhet këtu. Janë ca gjëra të thjeshta”,-tha Rama.