Revolta e një nëne: Gjykata e liroi, por do ta vras unë atë që më vrau djalin e vetëm

 

Gjykata e Apelit në Korçë ka dhënë ditën e djeshme vendimin për Elton Bregun, autorin e vrasjes së Klement Hoxhallarit, 28 vjeçarit nga Pogradeci.

Ai u dënua me 18 vjet burg, ndërsa personi që akuzohej si bashkëpunëtor i tij, Redi Kazerna, është liruar në sallën e gjyqit.

Kjo ka sjellë irritimin e nënës së viktimës, e cila ka thënë: “Gjykata e liroi, por do ta vras unë”!

Prokuroria thotë se krimi që ndodhi qershorin e shkuar, ka vetëm një autor dhe ndodhi në një bilardo.

Por, nëna e 28-vjeçarit shprehet se i biri është vrarë nga 5 persona.

Kam marrë dëshminë e një gruaje që shiste misra pak metra larg vendit të ngjarjes. E kam regjistruar gruan dhe ia kam çuar edhe prokurorisë, por prokurorët Dorina Bejko dhe Sotir Kllapi nuk e morën parasysh. Krimi ndodhi në një lokal dhe atje ka pasur kamera, por filmimet e zhdukën. Pronari dhe kamerieri i barit nuk dëshmuan nga frika, se u kërcënuan. Por djalin ma goditën me thika 5 veta. 2 prej tyre i mbanin duart mbrapa dhe të tjerët e kanë goditur me thika. Por ekspertiza nuk gjeti as thikën dhe asgjë tjetër. Në këtë çështje kanë ndërhyrë njerëz me pushtet. Dënuan vetëm njërin prej tyre vetëm 12 vjet dhe 1 tjetër për moskallëzim krimi, ndërkohë që ata ishin bashkëpunëtorë në krim bashkë me ata të tjerët. E gjithë ngjarja u manipulua.

Që nga policët dhe ata që bënë ekspertizën, deri te spitali, gjyqi me prokurorët dhe gjykatësit, se ishin 3 gjykatës, Liradin Lila, Admir Belishta dhe Arben Lera. Prokurorja Dorina Bejko e ka manipuluar procesin bashkë me Sotir Kllapën. Ata i fshehën të gjitha provat dhe thikat nuk u gjetën. Kërkova të shihja ekspertizën nga mjeku ligjor Hasan Laho, por ma kanë fshehur se edhe atë e kanë kërcënuar. Vrasja ishte programuar. Gjykata e uli dënimin nga 18 vjet në 12 se gjoja ai ishte jetim. Ne kërkojmë drejtësi, se na morën dritën e syve kot. Dora vrastare ma mori djalin e vetëm e më mbylli derën”, tha ajo.

Të njëjtën gjë thotë edhe babi i viktimës, Nevzat Hoxhallari.

Ma ngritën djalin nga gjumi për të ma vrarë. Gjykata liroi personin që e telefonoi dhe e thirri tek lokali, ku një grup personash i morën jetën, ndërsa ai që e qëlloi me thikë do të dalë shumë shpejt. Përveç korrupsionit, nuk gjej fjalë tjetër.

 

Unë e rrita atë djalë me gjak, nuk arrita ta shoh të martohet, të bëhet prind. Më mbylli derën. Çfarë drejtësie është kjo? E vrasin djalin në mes të rrugës dhe i lënë të lirë. Mua djalin nuk ma kthejnë më, por edhe me kaq nuk i lë. Ata i fshehën provat dhe lanë të lirë kriminelët,” thotë babai i viktimës për gazetën Panorama.

Djalin e kishin goditur tetë herë me thikë, ata thanë që e qëlluan katër herë. Dy persona e kishin mbajtur nga kyçet e duarve, ndërkohë që Elton Bregu e godiste me thikë. Askush nuk i nxori këto prova. Kanë qenë pesë persona që e vranë tim bir, por policia dhe shteti i fshehën. Nëse autorët do më kishin kërkuar pronën, do ua jepja, në një qese plastmasi do flija dhe të kisha djalin gjallë”.

SHKARKO APP