”Revoltat kudo”, Berisha: Protesta të vijueshme para dhe pas 11 shkurtit
Sali Berisha ka paralajmëruar se do të ketë protesta të vijueshme para datës 11 shkurt, kur do të mbahet edhe protesta kombëtare e opozitës, por edhe pas saj. Gjatë fjalës pas mbledhjes me kryetarët e degëve në të gjithë vendin, kryetari Berisha u shpreh se PD-ja do të ketë qëndresë në parlament.
“Ne kemi nisur betejën në parlament, kemi thirrur protestën në datën 11 shkurt dhe hymë në një fazë përfundimtare të largimit të Edi Ramës nga pushteti. Ne do të gërshetojmë dhe kombinojmë të gjitha format e përpjekjeve në këtë betejë. Revoltat në sheshe, rrugë, institucione dhe kudo.
Qëndresa në parlament, hetimi parlamentar. Koha thërret popullin opozitar të gjendet në orën e tij. Ora më e rëndësishme në misionin tonë. Ndërkohë ne nuk shmangim, përkundrazi bashkërendojmë çdo përpjekje për 14 majin si një ditë fitoreje për kandidatët tanë të lirisë. Në pamje të parë është komplekse, por misioni kërkon të gjitha këto”,-tha Berisha.