Rexhina vdiq gjatë lindjes, Prokuroria: Burg për mjekun që ndodhet në SHBA
Prokuroria e Elbasanit kërkon kthimin në burg të mjekut që ka ndjekur procesin e lindjes të Rexhina Debrovës, 25-vjeçares e cila humbi jetën më 22 prill, fill pasi solli ne jetë fëmijën e saj në spitalin e Elbasanit.
Vendimi për arrestimin është një ditë më parë nga prokurori i çështjes, Xhelian Seferi, i cili i ka kërkuar gjykatës së Elbasanit, caktimin e masës së “arrestit në burg në mungesë”, për mjekun Ardjan Kadaifçiu.
Kërkesa është bazuar në një akt ekspertimi mjeko-ligjor të mbërritur në prokurori nga Instituti i Mjekësisë, ku qartësohen nga ana teknike shkeljet e kryera nga doktori Kadaifçiu. Mbi të rëndon akuza “neglizhencë në trajtim mjekësor” me pasojë vdekjen e 25-vjeçares Rexhina Debrova, gjatë procesit të lindjes së fëmijës.
Mësohet se mjeku së bashku me familjen aktualisht ndodhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë për kardiologun Mehmet Ibaj dhe reanimatorin Niko Thana është kërkuar të vazhdohet me masën e sigurisë detyrim paraqitje. Ata akuzohen për “mjekim të pakujdesshëm”.
KOHA JONË SONDAZH

