Riaktivizohen kon*liktet mes fiseve, avokati: Fëmijët e Pëllumbit rrezikojnë burg përjetë
Vrasja misterioze e Pëllumb Metës, është ende e pazgjidhur, ndërsa pista të reja hetimi po shfaqen. Gazetarja Vali Qyrfyçi thotë se konfliktet e mëparshme mes familjarëve të tyre, pra fisit, janë rikthyer sërish. “Konfliktet e mëparshme mes familjarëve duket se janë riaktivizuar, janë 27 vite martesë, kanë pasur përplasjet e tyre. Ata duan të dinë pse ndodhi ky krim. Herë pas here deklarohen të dhëna të ndryshme, që të çojnë në pista të ndryshme”, raporton gazetarja.
Avokati Kujtim Cakrani, thotë se hetuesit duhet të fokusohen dhe të zbulojnë shkaqet që kanë çuar familjen e Pëllumb Metës, në një mllef të fortë ndaj tij. Për të nëse faktohet që vrasësi është njëri nga fëmijët dhe kanë bashkëpunuar, ata mund të dënohen edhe me burgpërjetë.
”Nëse kjo do faktohet, do dënohen me burgim të përjetshëm një ose dy persona, sepse është krim në familje dhe është i paramenduar. Nëse do ishte krim nga gjaknxehtësia, mund të dënohej me 20 vite burg. Në këtë rast ky krim dënohet me burgim të përjetshëm por para dënimit duhet zbardhur në rrënjë arsyeja. Është shumë e rëndë që të katërt fëmijët të urrejnë prindin. Kjo më lë dyshime që të mendoj se ishte një pronë në mes që donin ta shisnin”, u shpreh ai.