Riaplikimi për ID karta në çdo zyre, paçka vendbanimit, Lleshaj: Evitoni radhët e shtuara në fundvit
Riaplikimi për kartën e identiteti mund të bëhet nga qytetarë në çdo zyrë aplikimi, pavarësisht vendbanimit. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj zhvilloi një inspektim në zyrat e aplikimit në Njësitë 8&9 në Tiranë, ku theksoi nevojën për përshpejtimin e procesit të aplikimit, duke iu bërë thirrje qytetarëve të pajisen me ID kartë në kohë, për të përfituar shërbimet online.
“Dihet që për arsye të pandemisë afati i vlefshmërisë së kartave ID, që përfundonin në vitin 2019 u shty dhe kjo shtyrje nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Arsyeja e kësaj thirrjeje lidhet me nevojën që qytetarët duhet të aplikojnë sa më shpejt për të evituar grumbullimet dhe radhët e shtuara në fund të vitit. Shumë shërbime që tashmë kryhen online, janë të lidhura me vlefshmërinë e kartës ID. Dalja e kësaj karte jashtë afateve të vlefshmërisë bën që shumë shërbime të vështirësohen. Ndaj iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të përshpejtojnë për t’u afruar tek zyrat e aplikimit me qëllim që të pajisen me kartë në kohën e duhur dhe të evitojnë grumbullimet të cilat fatkeqësisht na ndodhin, sidomos në fund të viti”, u shpreh Lleshaj.