Ridërtohet në kohë rekord shtëpia e Vaid Memës në Pezë-Helmës. Veliaj: Kjo është Tirana jonë: punë, jo llafe
Dhe pak punë ka mbetur dhe Vaid Mema dhe familja e tij do të rikthehen në shtëpinë e tij në Pezë Helmës, të rindërtuar pas tërmetit që goditi Shqipërinë më 21 shtator të këtij viti. Ndërtimi strukturor në kodër, me mjete rrethanore, me gurë nga lumi, me baltë e qerpiç, me kallama e dërrasa, por edhe vjetërsia, bënë që një ndër shtëpitë e shkatërruara në Pezë-Helmës të ishte edhe ajo e Vaid Memës, të cilin që prej 2006 sëmundja e ka mbërthyer në krevat dhe e pamundëson të lëvizë. Por nisma e Bashkisë së Tiranës bashkë me kontributin e kompanive private që iu përgjigjën menjëherë thirrjes së kryebashkiakut Veliaj për solidaritet, bënë që shtëpia të ndërtohet sikurse u premtua në kohë rekord. Jo vetëm kaq, por shtëpia e re e tyre është jo vetëm më e fortë, por ofron edhe kushte shumë herë më të mira për familje Mema në Pezë Helmës. Kryetabashkiaku Veliaj ka postuar fotot e shtëpisë së re e cila shënon jo vetëm një tjetër premtim të mbajtur nga Bashkia Tiranë, por i ka transformuar tërësisht jetën një familjeje. “Shtëpinë e Vaid Memës në Pezë Helmës e rrafshoi tërmeti, e rindërtoi solidariteti! Kjo është Tirana jonë: punë, jo llafe!”, shkruan Veliaj në twitter.
KOHA JONË SONDAZH

