Rihapet gara për përzgjedhjen e Drejtorit të ri të AMF-së
Këshilli i Ministrave ka rihapur procesin e aplikimit për përzgjedhjen e anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) që do të mbajë detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të institucionit.
Fillimisht gara ishte shpallur më datë 20 shtator dhe afati për dorëzimin e aplikimeve kishte qenë deri më datë 29 shtator. Por, këtë muaj Kryeministria ka rihapur procesin, duke vendosur si afat të ri datën 23 tetor të këtij viti, pa dhënë arsyet e rihapjes së procedurës.
Vendi i Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ngeli vakant në muajin shtator, pasi Ervin Mete u lirua nga detyra për t’u emëruar në vijim si Ministër i Financave dhe Ekonomisë.
Sipas ligjit, anëtari i Bordit, që do të mbajë funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv, emërohet nga Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave, pas një procedure përzgjedhëse.
Ligji kërkon që kandidati për Anëtar i Bordit të AMF-së të ketë përfunduar ciklin e plotë të studimeve universitare në fushat ekonomike, juridike ose të lidhur me shkencën e aktuarëve dhe të ketë përvojë profesionale të paktën 7-vjeçare, nga të cilat, të paktën 5 vjet në financë-kontabilitet, administrim i shoqërive tregtare, këshillim ligjor i shoqërive tregtare, hartim legjislacioni, shkencë e aktuarëve ose sigurime shoqërore dhe pensione.
Parashikimet e ligjit organik të AMF e kufizojnë ndjeshëm spektrin e kandidatëve potencialë që mund të jenë anëtarë Bordi të AMF, duke përfshirë edhe pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv.
Sipas ligjit, nuk mund të jenë anëtarë të Bordit të Autoritetit persona, të cilët në tre vitet e fundit kanë qenë ortakë, aksionarë, apo anëtarë të organeve drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura; kanë lidhje familjare me personat e parashikuar në shkronjën “a” të këtij paragrafi; në tre vitet e fundit kanë qenë punonjës me kohë të pjesshme apo të plotë në subjektet e mbikëqyrura.
Sa i përket mandatit anëtari i Bordit që do të marrë detyrën e Drejtorit Ekzekutiv nuk do të ketë një mandat të plotë 5-vjeçar, por një mandat të pjesshëm, deri në vitin 2025, kur mbyllej mandati i drejtorit të mëparshëm.