Rihapja pjesërisht e Kapshticës, punëtorët sezonalë në radhë drejt Greqisë
Pas vendimit nga ana e autoriteteve doganore greke se pika e kalimit kufitar të Kapshticës do të hapej pjesërisht, vetëm për punonjësit sezonalë, këta të fundit janë parë këtë të martë të popullojnë doganën duke u futur drejt tokës helene.
Hapja e pjesshme e kufirit është lehtësim për ta, pasi nuk duhet të paguajnë kosto të mëdha drejt Kakavijës. Punëtorët tregojnë se puna sezonale në Greqi është e vetmja e ardhur për ta.
Ka edhe nga ata që rihapjen e Kapshticës nuk e shikojnë si lehtësim, por si kambanë alarmi për autoritetet shqiptarë që po detyrojnë krahun e punës të largohet jashtë vendit.
Pika kufitare do të qëndrojë e hapur për punëtorët sezonalë deri në datën 31 maj, më pas autoritetet kufitare të Greqisë do të nxjerrin një tjetër vendim se si do të funksionojë kjo pikë kalimi mes dy vendeve.