Rikonstruktohet qendra shëndetësore në Tregan, Balla: Shërbim shëndetësor me standarde
Kryetari Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, inspektoi ambientet e reja të qendrës shëndetësore në Tregan të Elbasanit. Kjo qendër prej vitesh nuk kishte pasur investime dhe ndërhyrja në të ishte e domosdoshme edhe për shkak të aktivitetit turistik që ka kjo zonë. Tregani është një zonë e rëndësishme për sa i përket turzimit balnear, ndaj pajisja e kësaj qendre me kushtet bashkohore është edhe në shërbim të gjithë turistëve që e vizitojnë këtë zonë përgjatë gjithë vitit dhe jo vetëm banorëve.
Në fjalën e tij, kreu i grupit parlamentar socialist, Balla u shpreh se gjatë vitit 2018 janë rikonstruktuar 8 qendra shëndetësore në qarkun e Elbasanit dhe përgjatë 2019 do të vijohet me një tjetër paketë për rehabilitimin e qendrave shëndetësore të qarkut, ku synohet që të gjitha njësitë administrative të kenë një shërbim shëndetësor parësor sipas standarteve më të mira.
“Jemi në fillim të vitit 2019 dhe bëjmë një bilanc të 2018-ës po të kemi parasysh numrin e qendrave shëndetëosore që arritëm të rikonstruktojmë tërësisht shërbimin në to. Vetëm në qarkun e Elbasanit janë tetë qendra të reja shëndetësore, një prej të cilave detyrimisht ishte Tregani. Jo vetëm për numrin e madh të banorëve por edhe sepse Tregani, për të gjithë ata që nuk e dinë, është një prej destinacioneve më të rëndësishme turistike për shkak të turizmit balnear që ofron kjo zonë. Janë të shumtë shqiptarët nga të gjitha trojet shqiptare që vijë këtu për të shfrytëzuar ujin e llixhave dhe të mirat shëndetësore që ai sjell. Kjo qendër Shëndetësore, prej shumë vitesh ishte e papërdorshme, por sot është tërësisht e rikonstruktuar, furnizimi është i plotë me të gjitha medikamentet. Të gjithë e dinë që vite më parë furnizimi ndodhte gjatë gjysmës së dytë të vitit dhe gjysma e parë e vitit ishte pothuajse e bllokuar për shkak të mungesës së furnizimit ndërkohë që sot jemi në kushte tërësisht të reja. Vijojmë që në 2019-ën të kemi edhe një paketë tjetër rikonstruksioni qendrash shëndetësore në qarkun e Elbasanit ku synimi është që në të gjitha njësitë administrative të qarkut ne të kemi një shërbim shëndetësor parësor të standardeve më të mira”,-deklaroi Balla.
Balla në këtë vizitë shoqërohej nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini dhe Prefekti i Qarkut Gledian Llatja. ky i fundit u shpreh se prioritet i qeverisë veç turizmit mbetet edhe shërbimi shëndetësor parësor, që qytetarët ta kenë sa më afër qendrave të tyre të banimit dhe sipas standarteve më të mira.
“Qendra e re Shëndetësore që ne po inspektojmë është një nga investimet e fundit që është bërë në zonën e Treganit. Krahas turizmit, absolutisht prioritet i qeverisë është edhe kujdesi i shëndetit të qytetarëve, të turistëve, të banorëve të zonës. Sado afër apo larg qoftë me qytetin, çdo njësi administrative ka qendrën e vet shëndetësore me ekipin e mjekëve i cili është në shërbim të qytetarëve gjatë gjithë kohës, ashtu siç e pamë edhe nga brenda me parametrat më të mirë të një qendre Shëndetësore”, u shpreh Llatja.

KOHA JONË SONDAZH

