Rikthehen vrasjet mafioze, 3 viktima në pak ditë. Ekspertët: Bandat kanë lidhje me strukturat e shtetit

Vendi është përfshirë nga një valë ekzekutimesh mafioze që kanë vënë në pikëpyetje sigurinë dhe rendin. Everest dhe Silvana Çaka ranë pre e një atentati me silenciator në Elbasan, mbrëmjen e së martës. 42-vjeçari mbeti i vrarë, ndërsa Silvana u plagos në dorë. Ngjarja dyshohet të jetë pasojë e një zinxhiri ekzekutimesh dhe ka lidhje me vrasjen e Gëzim Alikajt në vitin 2010, ku i dyshuari kryesor ishte vetë Çaka, i cili mban dy emra: Everest dhe Ibrahim.

Viktimë e një ekzekutimi mafioz mbeti dhe Bledar Birçaj. Dy persona të maskuar dhe të armatosur e prisnin 38-vjeçarin në vendin e njohur si “Bishti i Kalldrëmit” në Vlorë. Pas marrjes në pyetje, asnjëri prej personave që udhëtonte me Birçajn nuk arriti të identifikonte vrasësit, ndërsa viktimës iu gjet dhe një pistoletë në brez. Bledar Birçaj rezulton të jetë vënë në pranga në vitin 2011 për një vrasje, por gjykata ka pushuar hetimet, duke e lënë të lirë. Kjo është një nga pistat e grupit hetimor, ndërsa Birçaj kishte një muaj që ishte kthyer nga Spanja.

Loja me armën e mbushur përfundoi tragjikisht në rrugën “5 Maji” në Tiranë. 28-vjeçari Marius Dema qëlloi nga pakujdesia shokun e tij Mehmet Qema, ndërsa plaga e marrë në gjoks i shkaktoi vdekjen 27-vjeçarit. Pasi u dorëzua, 28-vjeçari Marius Dema tha se nuk e kishte ditur se arma ishte e mbushur, ndërsa policia arrestoi dhe 4 persona të tjerë për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Pedagogu i çështjeve të sigurisë, Pëllumb Nako, thotë se këto ngjarje tregojnë se krimi i organizuar apo grupet kriminale shqiptare, kohët e fundit sa vijnë dhe po forcohen dhe po e shtojnë edhe më shumë hapësirën të tyre gjeografike edhe gjate vendit. ”Duhet një hetim që duhet të përfshijë edhe aktivitetin ndërkombëtar të këtyre personave”, u shpreh eksperti i çështjeve të sigurisë. Nga ana tjetër, ai shtoi se në të gjitha vendet e BE-së grupet kriminale shqiptare zhvillojnë aktivitetin e tyre kriminal, jashtë syrit të forcave tona të rendit apo drejtësisë.

SHKARKO APP