Rikthehet ”moda” e shpërthimeve me tritol në Shqipëri
Teksa lajmi kryesor mbrëmjen e së hënës ishte protesta e Sali Berishës dhe ardhja e presidentit serb në vend, një lajm i kronikës tronditi vendin. Një shpërthim me tritol ndodhi pranë rrethrrotullimit të Saukut në Tiranë. Policia ka përjashtuar mundësinë e një sulmi pranë bizneseve në këtë zonë. Për fat të mirë nga ngjarja nuk ka të lënduar, por si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar xhamat e disa mjeteve të parkuara.
Lënda plasëse mësohet se është hedhur nga lart mbikalimit në një pjesë me shkurre. Në këtë segment rrugor nuk ka kamera sigurie, dhe kjo jua ndërlikon punën hetuesëve në zbardhjen e identitetit të autorit. Dyshohet se autori ka parë një patrullë policie dhe menjëherë ka hedhur tritolin nga frika.
Indrit Sadedini ra pre e një shpërthimi me eksploziv. 33-vjeçari nga Vlora bënte një jetë të tërhequr. I riu ka rënë pre e një atentati edhe 4 vite më parë, ndërsa po hetohet edhe e kaluara e tij. Lënda plasëse me qëllim ekzekutimin e 34-vjeçarit Indrit Sadedini, të dielën në Vlorë, ishte vendosur vetëm 15 minuta para se të shpërthente.
Shpërthimet me eksploziv së fundi janë kthyer në refrenin horror të rutinës së përditshme të qytetarëve shqiptarë. Ky nuk është rasti i parë i shpërthimeve me tritol në vend. Nga janari deri në tetor të këtij vitit janë regjistruar në total 25 raste të vendosjes së eksplozivëve në automjete dhe banesa. Numri më i lartë u shënua në muajin prill me 5 të tilla. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, janë dy raste më shumë.
Pjesa më e madhe e shpërthimeve kanë qenë kërcënime dhe mesazhe paralajmëruese, por nuk kanë munguar as atentatet si ai i ndodhur para pak ditësh në Vlorë ku mbeti i plagosur rëndë 34-vjeçari Indrit Sadedini.