Rikthimi i Bashës në PD? Këlliçi: Le të garojë, por s’është i nevojshëm

Sot Lulzim Basha dha sinjalin për rikthimin në PD, në një kohë që partia është pa kryetar të njohur në Gjykata, pasi Enkelejd Alibeaj dha dorëheqjen. Belind Këlliçi thotë se gara është e hapur, por që nuk e sheh të nevojshëm Bashën për ringritjen e PD-së.

Në takimin e parë me të rinjtë, që z. Basha thotë që janë të rinjtë e Partisë Demokratike, flet për lista të hapura dhe bëri një thirrje: mos i besoni politikës! Nga cilat radhë vjen Lulzim Basha?

Nuk e di, me siguri ka harruar që ka qenë tre herë ministër i qeverisë së Partisë Demokratike, një herë kryetar bashkie dhe tre herë kandidat për kryeministër, dhe sot është deputet. Dhe sot figuron në gjykatë si i vetmi rast në botë, unikal, si i vetmi kryetar partie që ka dhënë dorëheqjen dhe vijon të jetë kryetar partie në gjykatë.

Çfarë ju thotë ky rikthim i sotëm i z. Basha dhe kjo retorikë e tij me të rinjtë e forumit rinor?

E para njëherë, nuk janë të rinjtë e forumit rinor. Nuk kanë asnjë lidhje me këtë forum. Shumë mirë që janë të rinj, që marrin pjesë në një aktivitet politik, por që nuk janë të rinj të forumit rinor, për këtë ju garantoj.

A është ky një hap drejt rikthimit të z. Basha në drejtimin e Partisë Demokratike formale, atë të vulës?

Nuk di si ta quaj, a është ky apo jo një hap drejt rikthimit të tij. Kam parë sot një sërë deputetësh, që kanë mbështetur fraksionin e vulës, që kanë qenë kundër një rikthimi të z. Basha. Në fund të ditës, çdokush është legjitim për të garuar për një funksion politik brenda një force politike, por nuk besoj se lidershipi i z. Basha është më i nevojshëm për drejtimin e Partisë Demokratike dhe për opozitën.

SHKARKO APP