Rilindja fillon shpërndarjen e miellit, ushqimit dhe eurove në këmbim të votës! Ku je o SPAK?
Këto ditë ka nisur një shfaqje alarmante e blerjes së votave me miell, ushqime dhe sigurisht edhe me para të thata në dorë. Sekretari i Përgjithshëm i LSI për Tiranën, Klevis Pojana, publikoi dje pamje të disa dyqaneve në Njësinë Nr. 2 në Tiranë, Vorë dhe në Kamëz, ku shihen sesi zyrtarë të PS-së shpërndajnë ushqime për familjet. Pamjet janë flagrante dhe tregojnë sesi në mes të Tiranës, në qytetin ku parimisht fushata duhet të ishte me norma dhe etikë ligjore, kemi shkelje me të dyja këmbët të ligjeve. Këtë thotë LSI në Tiranë. Ndërkohë në qytete të tjera, situata është edhe më e rëndë. Deputetët të PS apo njerëz të dërguar prej tyre shkojnë nëpër marketet dhe dyqanet, u premtojnë qytetarëve se do të paguajnë borxhet që kanë për blerjen e ushqimeve. Drejtuesit politikë të PS kanë marrë urdhër që votat t’i blejnë me çdo kusht. Dikujt duke i paguar borxhet e bukës së fëmijëve, dikujt duke i dhënë thasë me miell dhe ushqime, të tjerëve duke u lënë në dorë 50 apo 100 euro për çdo votë. Nuk është vetëm Kodi Zgjedhor që po shkelet, por edhe kodi moral i shoqërisë. Nuk bëhet fjalë vetëm për dy apo tre raste sporadike që u denocuan dje nga LSI me video. Situata është e ngjashme në gjithë vendin dhe kryesisht në zonat ku varfëria është më e madhe e qytetarët janë në kushtet e mbijetesës. Deputetët e PS në që drejtojnë zyrat elektorale u kanë kërkuar përfaqësuesve të njësive vendore që të hartojnë listat me familjet në nevojë. Në një listë të veçantë janë familjet që marrin asistencë sociale dhe ky është grupi i parë i njerëzve që kërkohet t’u blihet vota me një thes miell dhe me ushqime. Kjo qeveri, pasi i ka vjedhur për tetë vite me taksa, pasi i ka çuar në burg nëse nuk paguanin dot faturën e dritave, tani tallet me qytetarët duke u kërkuar votën me një kg sheqer dhe oriz. Blerja e votës me ushqime, si në vende të botës së tretë, është një skandal që duhet të marrë një përgjigje të fortë nga institucionet e drejtësisë. Është një krim politik dhe fyerje e dinjitetit njerëzor, por edhe i dënueshëm nga Kodi Zgjedhor. Ndërkohë jemi ende në nisje të fushatës elektorale dhe blerjet masive të votave me lekë apo euro nuk kanë nisur ende me thasë. Sipas traditës politike të Rilindjes, blerjet me para të thata në dorë bëhen ditët e fundit. Prokuroria dhe SPAK, institucione që kanë premtuar se do t’i kushtojnë rëndësi të veçantë krimit politik, janë në kohë për të ndalur një masakër elektorale të ndyrë dhe kriminale. SPAK ka për detyrë në këto zgjedhje të arrestojë çdo njeri që jep para apo blen votat. Pamjet e shpërndarjes së ndihmave ushqimore për familjet në nevojë në këmbim të votave, janë një kambanë alarmi që duhet të vënë në lëvizje ambasadorët e vendeve perëndimore, OSBE-në që merret me zgjedhjet dhe qindra shoqatat që paguhen si vëzhgues për zgjedhjet në Shqipëri. Meqë nuk i largojnë dot personat me precedentë penalë nga listat e kandidatëve të qeverisë dhe nuk dalin dot hapur kundër bandave, të paktën të dalin dhe të denoncojnë shitjen e votës për një copë bukë. Qeveria premton projekte 3D për avionë, aeroporte, porte dhe në fund ble votat me një thes miell.
Kryeministri ka filluar fushatë me mediat e tij të blera ku deklaron se “do të bëjmë aeroporte, porte, qendra industriale, zona turistike, do rrisim rrogat, do heqim taksat, etj”. Por nuk jep llogari pse nuk i ka bërë 8 vjet që është kryeministër, por tani mundohet të na bind me “do të…”.
Njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm kur hedhin votën, pasi kjo është e drejta e tyre një herë në katër vjet të ndërrojnë pushtetin apo të mbajnë atë që mendojnë se duhet.
Por jo të shesin votat!
Mili Xhani