Rilindja turret te Nano, deri vjet ish-kryetari nuk ekzistonte për ta!

Edi Rama ka vendosur të rilindë dhe Fatos Nanon. Në një letër-urim për ditëlindjen e 68-të, kryeministri ka risjellë në debatet politike dhe korridoret e PS “fantazmën” e ish-kryetarit historik të PS. Pasi e zboi nga selia rozë në vitin 2005, Fatos Nano ka festuar edhe 14 ditëlindje të tjera, por askush nga PS nuk është kujtuar të urojë ish-kryetarin. Madje as nuk kanë guxuar ta uronin privatisht, sepse mund ta shihnin veten në pension të parakohshëm politik. Deri dje askush nuk kujtohej për ish-kryeministrin dhe emri i tij përmendej me bezdi si histori e vjetër që nuk duhej hapur më.
Dje, Edi Rama gëlltiti gjithë fyerjet, sharjet dhe shkopinjtë nën rrota që i ka vendosur PS dhe ish-kryetarit dhe u kujtua ta ftojë për kontribut në selinë rozë. Letra ishte një lëpirije artistike e shkruar me mjeshtëri, me të cilën Fatos Nano do ketë qeshur. Por realisht letra nuk ishte për Fatos Nanon. Letra e Edi Ramës ishte një thirrje e dëshpëruar për socialistët e vërtetë që e mbajtën partinë në ditët më të vështira të vitit 1997 dhe këto vite të Rilindjes praktikisht nuk kanë qenë në pushtet. Duke joshur Fatos Nanon, Edi Rama u drejtohej pikërisht këtyre socialistëve, të cilët kanë kontribuar për ideale dhe jo koncesione nga partia. Në fund të mandatit të dytë, Edi Rama po sheh se ata që morën tendera, euro dhe benefite nga qeverisja e tij kanë filluar të largohen. Paratë e korrupsionit i kanë bërë për vete dhe po shohin si të mbijetojnë me trancizionin e pushtetit. Ashtu siç ishin në krah të Edi Ramës, kjo kategori socialisto-biznesmenësh janë gati të hidhen në prehrin e së djathtës, sapo anija rilindase të japë shenjat e para të mbytjes. Rilindja është një grupim interesash, kryesisht ekonomike dhe jo politike, dhe oferta e Edi Ramës nuk u garanton më siguri. Socialistët që dikur votonin në rresht, në këto zgjedhje nuk kanë më arsye të paraqiten në votime. Tetë vite janë të mjaftueshme për të kuptuar se PS-ja ku ata militojnë nuk ka asnjë lidhje me Rilindjen e Edi Ramës.

Ndaj në këto ditë të errëta Edi Ramës i duhet Fatos Nano dhe socialistët e vjetër që mbanin dikur bazën e PS. Problemi është se Nano nuk mund të ofrojë më asgjë për Ramën dhe Rilindjen. Gjithë këto vite Edi Rama bëri çdo gjë që historia e PS që niste dhe përfundonte me Nanon të fshihej. Sigurisht qeverisja e tij kishte probleme dhe mëkate pa fund, por historinë as e dyshon dhe as e harron dot. Ndaj dhe Edi Rama po harron akuzat për atë që e quante “qorrin e PS”, me shpresë se ndihma e tij do t’i japë disa vota më tepër. Ndërkohë rikthimi si votues i PS-së i Fatos Nanos, indirekt rrëzon dhe pikën më të fortë të propagandës së PS ndaj PD. Deri më sot, Edi Rama dhe njerëzit e tij kanë refrenin e gatshëm kundër opozitës duke përdorur ekzistencën e Sali Berishës në politikë. Qëndrimi i Berishës në PD cilësohej si një handikap i madh i lidershipi të saj. Tani Edi Rama po thërret në ndihmë “babain e PS” për të dalë në fushatë në krah të tij, por sipas tij, kjo nuk është gjë e keqe, por vlerësim i traditës. Është e drejtë e Edi Rama që të trajtojë si kukull ish-kryetarin. E ka bërë dhe më parë kur tallej me Endri Fugën me kandidimin e tij për President dhe me pas votonte demokratët, por jo ish-kryetarin për ketë post. Së fundi, mund të tallet edhe duke i premtuar ndonjë kandidim në zgjedhjet e vitit 2021. Rilindja kërkon ta përdorë edhe njëherë Fatos Nanon.
Më pas për të Nano do jetë sërish si “Robert Çimçakizi” apo “karrocieri i dehur” që vjen vërdallë për të prishur punë.
M. Xhani

SHKARKO APP