Rillogaritja e pensioneve suplementare të ushtarakëve, Hado: Merret shtesa për të gjithë periudhën
Pensionet suplementare të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë, do të indeksohen dhe masa e pensionit suplementar do të vihet në kufirin deri në 50% të masës së pensionit të caktuar sipas dispozitave të ligjit.
Në një intervistë për ATSH-në, Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado tha se në 6-7 vitet e fundit janë ndërmarrë disa nisma nga qeveria për të rregulluar pensionet dhe pensionet e pleqërisë të shumicës së ushtarakëve janë rritur. Vuri në dukje ai, ligji thotë që për ata persona të cilat kanë punuar në ushtri, apo polici, pensioni suplementar llogaritet sipas një formule të caktuar, por asnjëherë kjo masë nuk mund të jetë më e madhe se 50% e pensionit të pleqërisë. Në momentin që këto pensione janë caktuar, theksoi ai, nuk është se janë bërë gabim nga ana e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, sepse pensioni është dhënë në masën 50% e pensionit të pleqërisë.
”Ndërkohë pensioni suplementar nuk e ndoqi këtë trend dhe pensioni aktual suplementar që marrin një pjesë e ushtarakëve është më i vogël se gjysma e pensionit të pleqërisë. Atëherë me këtë vendim do të rregullohet edhe ky hendek. Pra të gjithë ata ish ushtarakëve që kanë punuar në ushtri apo polici dhe ju takon për të marrë pension suplementar do t’i marrin shtesat e pensionit për të gjithë periudhën”.
Efekti financiar vjetor nga zbatimi i këtij vendimi llogaritet në shumën 26 milionë lekë. Për vitin 2019, efekti financiar llogaritet në shumën 13 milionë lekë dhe do të përballohet nga fondet e parashikuara në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore të këtij viti.
KOHA JONË SONDAZH

