Rimbursimi i gjobave në Greqi, ndryshime në buxhetin 2020, aplikimi pranë Tatimeve

Qytetarët që janë gjobitur pasi kanë kaluar afatet e qëndrimit jashtë vendit do të kenë mundësi të rimbursohen, përmes aplikimit pranë drejtorisë së përgjithshme të tatimeve. Qeveria ka vendosur në dispozicion të këtij procesi një fond prej 26 milion lekësh si shtesë në buxhetin e ministrisë së financave.

Qeveria shqiptare ka vendosur në dispozicion të ministrisë së financave një fond prej 26 milionë lekë të reja për kompensimin e shqiptarëve të gjobitur nga shteti grek për tejkalim të afateve të qëndrimit.

Fondi është akorduar me anë të një ndryshimi në buxhetin e vitit 2020, që ka për qëllim të ndihmojë qytetarët shqiptarë që u bllokuan në Greqi nga mbyllja e kufijve si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

në vendimin e këshillit të ministrave theksohet se të gjithë shtetasit shqiptarë, të cilëve iu përfundonte afati i qëndrimit në periudhën 10 mars–1 qershor 2020 e për shkak të mbylljes së kufijve, kanë tejkaluar afatin e qëndrimit, dhe për pasojë janë gjobitur nga shteti grek për çka do të rimbursohen përmes këtij fondi nga shteti shqiptar.

Pak ditë më parë përmes një reagimi për këtë çështje, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se aplikimi për rimbursim mund të bëhet përmes një formulari pranë drejtorisë së tatimeve, ku duhet të paraqitet dhe mandati i gjobës, e cila në çdo rast duhet të jetë e përkthyer dhe të noterizuar.

Në rast dyshimi apo konstatimi të një parregullsie në dokumentet e paraqitura për rimbursim të gjobës, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kërkon informacion në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministrinë e Brendshme.

SHKARKO APP