Rimëkëmbja e transportit të udhëtarëve – Operatorët, kërkesa qeverisë: Hiqni akcizën e naftës, 30% të biletave ta mbulojë shteti
Teksa transporti interurban i udhëtarëve vazhdon të jetë i bllokuar për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, operatorët e këtij tregu i kërkojnë qeverisë ndërmarrjen e një sërë masash për shpëtimin e tyre nga falimentimi. Ndërkaq, pavarësisht se protokolli i Ministrisë së Shëndetësisë për operimin e e tyre nuk është miratuar ende, Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban Kamëz Veri merr në konsideratë funksionimin me 50% të kapacitetit, ndaj kërkon që shteti të paguajë për 30% të kapaciteti të munguar të udhëtarëve, në mënyrë që të përballohet ofrimi i shërbimit.
Gjithashtu, sipas shoqatës nafta zë dhe shpenzimin kryesor në sektorin e transportit me 70% të totalit, ndërkohë që merret me një çmim të papërballueshëm nga operatorët. Për këtë arsye, përmes një kërkese drejtuar institucioneve shtetërore ata propozojnë lehtësimin e barrës financiare në këtë drejtim duke kërkuar heqjen e akcizës së naftës për sektorin e udhëtarëve , njohjen në blerje të TVSH-së së naftës si të zbritshme në vlerën 100%, që aktualisht është 43% e shitjeve, si dhe zbritjen e pragut të TVSH-së në shitje, sikurse e kanë hotelet.
Sipas shoqatës, numri i të punësuarve në sektorin e transportit të udhëtarëve, vetëm në subjektet që janë pjesë e shoqatës është mbi 2300 persona. Pjesë e kësaj shoqate janë 10 linja urbane dhe 75% e linjave ndërqytetëse në segmentin e veriut të Shqipërisë, duke përfshirë Qarkun Tiranë, Durrës, Dibër, Kukës, Shkodër dhe Lezhë.
/ SCAN