Rindërtimi, Ahmetaj: Deri tani janë investuar 18 miliardë lekë, shtohen dhe 34 miliardë, para 31 dhjetorit gati mbi 1000 banesa
Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj bën me dije shifrat që janë investuar dhe do të investohen për t rindërtuar banesat, shkollat dhe objektet e tjera të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Ahmetaj thotë se deri tani janë investuar 18 miliardë lekë, 17.5 nga buxheti i shtetit, 500 milionë dollarë nga donatorët e brendshëm.
Ai shton se deri në fund të vitit do të investohen edhe 34 miliardë, vitin tjetër 25 miliardë.
Si përfundim, ai thotë se mbi 1000 banesa do të presin qytetarët para 31 dhjetorit të 2020.
”Programi i Rindërtimit, as për shkak të COVID, as për shkak të klimës politike, nuk ka ngelur në mes të rrugës. Jemi në fazë të avancuar të ¾ të programeve të avancuara. Pavarësisht situatës së COVID-19, ne nuk hoqëm dorë nga rindërtimi. Në fillim të vitit kishim 10 mijë familje në çadra. Sa herë e përmendja këtë fjalë, kisha dhimbje se mendoja që një numër i madh familjes ishin në të ftohtë apo dhe në të nxehtë. Nuk e kemi shëruar këtë plagë. Por sot 13 mijë familje janë me qira, që qeveria u ka akorduar qiranë në 2 miliardë, dhe deri në fund të vitit shkon në 2.9 miliardë.
Janë investuar gati 18 miliardë lekë. Pra 17.5 nga buxheti, dhe 500 milionë dollarë nga donatorët privatë brenda vendit. Deri në fund të vitit, janë akorduar dhe 34 miliardë lekë, apo 340 milionë dollarë. Janë dhe 25 miliardë lekë vitin tjetër, nga donatorët privatë.
Afati kohor i ndërtimit shkon nga 4 muaj- 5.5 muaj. Janë mbi 1000 banesa që do të presin qytetarët para 31 dhjetorit.”- tha Ahmetaj.