“Rindërtimi do të zgjasë edhe gjatë 2021-shit”, ministrja tregon prioritetet e qeverisë
“Procesi i rindërtimit ka nisur, është një proces i futur brenda një kuadri ligjor”. Kështu u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në rubrikën “Opinion”, në News24, teksa foli për pasojat e tërmetit tragjik të 26 nëntorit.
Ministrja deklaroi se përveç zonave të reja, të përcaktuara tashmë, në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Kombëtar të Rindërtimi do të shqyrtohet mundësia edhe për katër zona të reja.
“Ishte një punë shumë e gjatë, e koordinuar me ekspertë të ndryshëm për hartimin e një plani të nevojave, që është drejtuar nga grupe të ndryshme teknike në secilën ministri. Ka qenë një punë një mujore. U shtuan edhe të gjitha institucionet e tjera, si në Durrës, ashtu edhe në Tiranë”, tha ministrja.
Ligjin me kohën se kur pritet të përfundojë procesi i rindërtimit, ministrja Margariti theksoi se një gjë e tillë mund të zgjasë edhe përgjatë vitit 2021, ndryshe nga ç’ka deklaruar kryeministri Edi Rama, se brenda vitit 2020 banorët do jenë nëpër banesat e tyre të reja.
“Fundi i 2020 është targeti kryesor për të akomoduar banorët. Për ne nuk është me rëndësi vetëm akomodimi, por edhe shtimi i shërbimeve të reja. Me gjithë skenarët e mundshëm, që po hartojmë, do jetë një proces që do zgjasë edhe gjatë 2021, por që do sjellë vetëm impakt pozitiv. Nuk po kërkojmë të ngremë hapësira fjetore rezidencash, por po parashikojmë të ndërtojmë hapësira me standarde të larta jetese”, deklaroi Margariti.
Intervista:
Sa janë fondet e mbledhura nga qeveria, nga donacionet?
Kemi donacione të ndryshme, që kanë kaluar në platformën “e-albania”, por edhe donacione që vijnë në mënyra të ndryshme. Presim Konferencën e Donatorëve për t’u shprehur, por janë te 15 milionë euro, edhe pse kjo shifër do të shtohet.
Procesi i rindërtimit ka nisur, është një proces i futur brenda një kuadri ligjor. Kemi miratuar me VKM 23 zonat, në zona të ndryshme, Kurbin, Tiranë, Durrës, Kavajë, Lezhë, Krujë, dhe po shohim disa zona të tjera. Në mbledhjen e ardhshme të Komitetit të Rindërtimit, do shqyrtojmë edhe katër zona të tjera. Tashmë jemi futur në një proces 25 ditor për hartimin e planeve të detajuara. Zonat e reja nuk do të kenë thjesht funksion rezidencial, pra nuk do shërojnë thjesht plagën e banorëve për një banesë, por do të kenë dhe shërbime të tjera. Në Laç, përveç 500 apartamenteve të premtuara nga qeveria turke, kemi edhe projektin e bashkisë. Në këtë lloj modeli, me shërbime të shtuara, po ecim në disa zona.
Po mendojmë që të mos bëjmë spostim në lagje të re në zonat, që me verifikimin e thelluar duhet të shemben, por të bëjmë një riformulim të zonës. Aty ku ka pasur viktima nga tërmeti, në Thumanë, është një nga zonat e para që janë miratuar me VKM, ku janë parashtruar nevojat për rindërtim. Thumana është futur në këtë proces, me hartimin e planit të detyruar vendor. Kemi dy tipologji ndërhyrjesh, me banesa kolektive, ku ka pasur dhe viktima, që të ketë dhe hapësira urbane. Pastaj, pjesa tjetër është me banesa individuale, janë banesat që nuk ndodheshin në qendër të Thumanës, por të shpërndara. Ato do të grupohen. Në prioritetin e qeverisë është spostimi drejt një zone të re, me më shumë shërbime, ndërsa pronën, ku ata kishin shtëpinë e tyre, mbetet po njëlloj e tyre. Kemi një rirregullim të territorit, jo një shpërndarje kaotike të banesave, që do të sjellë një standard jetese për banorët, por edhe për brezat e ardhshëm.
Ku do ndërhyhet më shumë?
Dëmet e mëdha kanë qenë në Durrës e Tiranë. Tirana ka nëntë zona zhvillimi, te ‘5 maji’, Kombinat, Vaqar, Baldushk, Instituti Bujqësor, etj.
Kur do nisë puna?
Për zonat e para të miratuara, në çdo javë kemi mbledhjen e Komitetit të Rindërtimit, pastaj kalimin te zonat e reja. Do të kemi një plan të mirëfilltë dhe rishikim të të gjithë zonës, që më pas do nisë me zbatimin real, fizik të rikonstruksionin. Fundi i muajit do të na gjejë me hapa më konkret. Puna reale, në zonat e mëdha, do të marrë një hap tjetër të rëndësishëm në fund të këtij muaji dhe mesin e muajit tjetër.
Konferenca e Donatorëve, ku do mbahet dhe sa shtete do marrin pjesë?
Nuk e kam unë këtë informacion, megjithatë kemi pasur takime të ndryshme. Presim një pjesëmarrje të mirë, më 17 shkurt. Do të kemi patjetër përfaqësim në nivel ministrash të Jashtëm, edhe nëse s’do jenë krerët më të lartë të shteteve.
Cilat janë pritshmëritë?
Nuk kemi pritshmëri të përmbushim 100% nevojën, por mendojmë se do kemi një përkrahje të madhe.
Ndihma e Turqisë për ndërtimin e 500 banesave…
Në zonën e Laçit. Laçi ka dy zona, njëra që pati një hov më të madh të përcaktimit dhe nevojës konkrete, jemi në komunikim të përditshëm me ta. Kemi ecur mirë, përveç 500 apartamenteve, kemi përcaktuar bashkëpunimin edhe për hapësira të tjera, si parkime të nëndheshme, shërbime tregtare, që do jenë në katet përdhe. Po flitet dhe për hapësirë të munguar arsimore. Pra, kemi shkuar përtej 500 apartamenteve. Zona tjetër nuk përmbush nevojat e të gjithë banesave të dëmtuara nga tërmeti, për këtë arsye në zonën përreth spitalit do të ketë akoma prekje të reja. Këtu është një proces i dytë, që do fillojë të detajohet më shumë, kur të kemi të dhënën e saktë të numrin e familjeve. I kemi dhënë hapësirë apartamenteve, duke marrë parasysh standardet e mira të jetesës, për të krijuar kushte sa më të mira. Familje që mund të kenë jetuar në hapësirë të vogël, do të rigjejnë pas tërmetit një shtëpi që do plotësojë nevojat e tyre.
Ç’ka ndodhur me fondacionet bamirëse?
Thumana do të fillojë pikërisht me kontributin e donatorëve. Ata kanë qenë vetë në terren, në bashkëbisedim me banorët. Këta të fundit duhen spostuar në një zonë të re, për të liruar zonën. Puna do të fillojë pas 25 shkurtit, kur të kemi planin vendor të mirëpërcaktuar me numrin e saktë të banesave. Jemi në një hap të mirë, ku kemi drejt përfundimit planin vendor.
Ankesat nga banorët që jetojnë në çadra, ku thonë se janë çadra verore dhe të papërballueshme nga moti i ftohtë…
Kontigjentët e çadrave dimërore janë në përputhshmëri me nevojat. Banorët e kanë të pamundur shkëputjen me pronën apo aktivitetin blegtoral.
Ku janë personat që u akomoduan nëpër hotele?
Ka filluar një tjetër program, ai i bonusit të qirave, që ka dhënë menjëherë efektin e lëvizjes së banorëve. Shumë prej tyre janë banorë që me mbarimin e akteve të ekspertimit janë kthyer drejt banesave të tyre, kanë aplikuar për lejet e rikonstruksionit, aty ku dëmet kanë qenë të vogla. Shumica e banorëve që u futën nëpër hotele, u gjendën atyre edhe për shkak të panikut. Shumë prej tyre qëndronin ende në hotel, sepse mund të ishin të vetmuar dhe kishin frikë të ktheheshin në banesën e tyre, por tashmë është futur në mirëadministrimin e pushtetit vendor.