Rindërtimi pas tërmetit, Xhaçka: Nisim shumë shpejt, prioritet familjet me fëmijë të vegjël
Nxënësit dhe mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Edit Durham” iu bashkuan ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka gjatë vizitës në fshatin Bubq dhe Mazhë e Madhe, një prej zonave më të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Me nismën e tyre, nxënësit kishin përgatitur dhurata për 120 fëmijë të zonës, të cilat shfaqën dëshirën për t’i shpërndarë bashkë me mësuesit e tyre, gjatë vizitës së ministres Xhaçka pranë familjeve të strehuara në çadra në këtë zonë rurale.
Pasi përgëzoi nxënësit e shkollës “Edit Durham” për nismën domethënëse në këto ditë festash dhe vëmendjes që ata po i kushtojnë fëmijëve në familjet e dëmtuara, ministrja Xhaçka informoi banorët se, qeveria dhe grupet e ekspertëve po punojnë në garë me kohën për të përfunduar sa më parë verifikimi i dëmeve.
“Shumë shpejt do të nisë edhe faza më e rëndësishme, ajo e rindërtimit, në qarqet Durrës, Tiranë e Lezhë. Do bëjmë çmos që, prioritet të kenë familjet me fëmijë të vegjël e që nuk mund të jetojnë në këto kushte. Kuptoj të gjitha vështirësitë dhe ne po punojmë në garë me kohën që rindërtimi i shtëpive të nisë sa më shpejt”, tha ministrja Xhaçka gjatë bashkëbisedimit me banorët e Bubqit dhe Mazhës së Madhe.
Sipas të dhënave paraprake, të cilat përditësohen çdo ditë gjatë verifikimit të ekspertëve shqiptarë dhe të huaj në terren, deri më sot në qarqet e prekura janë inspektuar rreth 15 mijë objekte, nga të cilat 2 300 banesa të dëmtuara rëndë, ndërsa 292 pallate deri më tani janë të pabanueshme përkohësisht.
Pas mbylljes së fazës së dytë, verifikimit të dëmeve, do të nisë puna për rindërtimin masiv të banesave të dëmtuara me angazhimin edhe të firmave të ndërtimit për riparimin e pallateve që ato kanë ndërtuar si dhe ndërtimin e lagjeve të reja dhe banesave ekologjike (në zonat rurale) në Tiranë, Durrës, Thumanë, Kurbin dhe Laç për të strehuar banorët, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan plotësisht nga tërmeti.