Rindërtimi, prezantohen projektet për dy lagjet e reja në Tiranë e Durrës, kantierët në qershor dhe korrik

Qershori dhe korriku do të jenë muaj ku në të gjitha zonat e dëmtuara nga tërmeti do të ketë hapje kantieresh serioze të rindërtimit qoftë me shtëpitë, shkollat, pastaj edhe me proceset e tjera me grantet.

Deklarata u bë nga Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj,  gjatë prezantimit nga dy arkitektët e famshëm italianë Stefano Boeri dhe Mario Cucinella, në Këshillin Kombëtar të Territorit, të dy planeve të rindërtimit në Tiranë dhe Durrës.

Ahmetaj: Në terren ka filluar puna me pastrimin e territoreve dhe bërjen gati të një sërë numri trojesh, të cilat do të vihen në shërbim të këtyre projekteve për rindërtimin.Këtë të premte Fondi Shqiptar i Zhvillimit mbyll fazën e parë të prokurimit për 2 400 shtëpi, ditët më vonë do të jetë edhe bashkia e Tiranës, ndërkohë që FSHZH është në procesin përfundimtar, fazën e dytë të prokurimit të një numri të konsiderueshëm shkollash në zonën e dëmtuar përtej të Tiranës.

Procesi sa i përket objekteve arsimore në bashkinë e Tiranës është në përfundim të projekteve dhe në fillim të procesit të fazës së parë të prokurimit të huasë.Kemi punuar me donatorët, Komisioni Europian ka avancuar me pjesën e vet me 15 milionë euro për 22 shkolla nëpërmjet UNDP, e cila sot që flasim janë në proces të avancuar prokurimi procedurë e shpejtë e bërë nga ana e tyre në bashkëpunim për sa i përket prioriteteve dhe konkretisht shkollave dhe zonave gjeografike ku shkollat janë vendosur të bashkërenduara me komisionin shtetëror të rindërtimi.

E njëjta gjë po ndodh edhe me projektin e qeverisë turke me DASH. Sot që jemi duke folur dhe deri në fillim të javës që vjen, të martën përfundon i gjithë procesi teknik i shpronësimit. Lidhja e marrëveshjeve dhe deri në fund të javës tjetër edhe ajo zonë do të jetë e gatshme për të ndërhyrë nga qeveria turke. E njëjta gjë po ndodh edhe në Thumanë, ku me kontributorë privatë është pastruar e gjithë zona.

Në të njëjtën rrugë intensive jemi edhe me kontributorët e tjerë, zona e Spitallës që do të aprovojmë sot, është në fokus të këtij donacioni serioz me 2 mijë apartamente. Në të njëjtën kohë me qeverinë zvicerane jemi në një fazë të avancuar të draftimit përfundimtar të marrëveshjes për pjesëmarrjen e qeverisë zvicerane në projektin e granteve me DS1, DS2, DS3 për familjet e dëmtuara.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot me këto projekte hapet një kapitull i ri.

Rama: Jo thjesht garantojmë strehim për ata që presin të futen në shtëpitë e tyre, por krijojmë shembuj të rinj të Shqipërisë që duam për gjeneratën që duam, të qyteteve të gjeneratës tjetër, patjetër edhe të organizimit dhe bashkëjetesës komunitare të gjeneratës tjetër.Këto dy lagje të reja, njëra pranë lumit të Tiranës e tjetra në zonën e Spitallës, mishërojnë ambicien tonë për Shqipërinë që duam.

Jemi këtu falë punës së jashtëzakonshme të bërë nga dy ministrat, ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, të cilët kanë shoqëruar këtë rrugëtim, këtë proces, me një gatishmëri të madhe dhe shumë punë, kryetarin e bashkisë së Tiranës dhe atë të Durrësit dhe për faktin që është marrë edhe më parë me çështjen e rregullimit të territorit dhe është përfshirë më shumë në këtë proces dhe sigurisht falë dy arkitektëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre po na vënë në kushte jo thjesht të ndërtojmë për t’iu dhënë mundësinë të prekurve nga tërmeti të kthehen në shtëpi, por edhe shumë më tepër.

Kryeministri Rama shprehu mirënjohjen për arkitektët italianë, të cilët tha ai janë përfshirë me shumë dëshirë të mirë në këtë proces.

Rama:Kemi një punë të veçantë sot në këtë këshill, kjo është arsyeja e pjesëmarrjes time jo si zakonisht. Duhet të diskutojmë dy plane me rëndësi të veçantë për vendin dhe në funksion të rindërtimit, planin e detyruar vendor të zonës së parë në bashkinë e Tiranës ku do të ngrihet një lagje e re, dhe planin e detyruar vendor të zonës 4 të Spitallës, Durrës, ku do të ngrihet përsëri një lagje e re.

SHKARKO APP