Rinumërimi në Durrës, PD: Rezultati, masakër zgjedhore, KAS refuzoi provat
Partia Demokratike ka reaguar pas përfundimit të rinumërimit të 108 kutive të Qarkut të Durrësit.
Përfaqësuesi i saj, Marash Logu, iu drejtua anëtarëve të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, me fjalë të rënda, ku tha se “vendimi i tyre për Qarkun e Durrësit, është masakër zgjedhore part 2”.
Ai tha ndër të tjera se i kanë kërkuar KAS 38 kërkesa për marrje shtesë të provave, por kjo kërkesë është refuzuar.
“Ne jemi të qartë anëtarë të komisionit të KAS, nuk kemi pse të tregohemi hipokritë, naiv, sepse e dimë që në kutitë e votimit nuk ka fletë që shkruhet që kjo është e vlerë. Nuk ka fletë votimi që thotë është e marrë në këmbim të një leje legalizimi. Nuk ka fletë që thotë se është marrë në formën e votës në kërkim të intimidimit, kërcënimit.
Nuk mund të pretendonim e besonim që do të gjendeshin në këto kuti do të gjendeshin shkeljet që ne kemi propozuar para këtij komisioni. Ne e cilësojmë këtë që po ndodh në këtë Komision, kjo është masakra part 2.
Tabela që ju na keni vënë në dispozicion nuk na thotë gjë. Nuk zbardh masakrën zgjedhore që ne kemi kërkuar të zbardhet. Numrat këtu janë të papërfillshëm për rezultatin zgjedhor të Qarkut të Durrësit. Zgjedhjet e 25 prillit ishte një masakër. Ju keni refuzuar 38 herë të shmangni masakrën zgjedhore të 25 prillit”, tha Logu.
Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Eridjan Salianji, tha se rezultati i rinumërimit të kutive, konfirmoi që nuk ka pasur manipulim zgjedhjesh në Qarkun e Durrësit e më gjerë, pasi sipas tij, humbje votash gjatë rinumërimit, ka pasur për të treja subjektet politike
“Ne dhamë dakordësinë tonë që të pranohet kërkesa e ankimuesit për rinumërim. Ne thamë që rezultati nuk do të ndryshonte. Gjatë ditës së sotme u rivërtetua që procesi i votimit në Qarkun e Durrësit ka qenë korrekt.
Nuk e shoh masakër zgjedhore, apo krim zgjedhor, ku PD del me minus 38 vota. Ky është standard që ka të bëjë me vlerësimin e votës. Një institucion më i konsoliduar ka tjetër standard për vlerësimin e votës.
Si dhe ajo që është më e rëndësishmja, LSI, ka 0 vota të vjedhura në Qarkun e Durrësit. Për ne mbetet rezultati që ka dalë nga zgjedhjet e prillit në atë qark”, tha Eridjan Salianji.