Rinumërimi në Rrogozhinë, Berisha: Burgu u mbush me urgjencë nga krimineli elektoral Ulsi Manja
Rezultati i 14 Majit nuk harrohet lehtë nga PD-ja e grupit të Rithemelimit. Sali Berisha në mbledhjen e grupit, që në fillim denoncoi atë që e quajti “skandalin e KAS-it me Rrogozhinën”. Për rinumërimin e votave, ku PS-ja fitoi sërish në bashkinë e Rrogozhinës, Berisha hedh akuza ndaj ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manjës, ku thotë se mbushi burgun e Rrogozhinës me votues.
“Ngritja e një qendre votimi në një vend të caktuar ka kushte dhe akte mbi të cilat bazohet. Qendra e votimit në burgun e Rrogozhinës është ngritur pa asnjë vendim, pa asnjë akt, pa asnjë procedurë. Është ngritur në një burg që kishte vetëm 2 vetë dhe u mbush me urgjencë nga krimineli elektoral Ulsi Manja vetëm e vetëm për të ndihmuar me vota kallp kandidatin e PS.
Në burgun e Rrogozhinës u dërgua një Edmond i Drejtorisë së Burgjeve, ai do dërgohet në SKAP si kriminel elektoral, i cili kërcënoi të burgosurit se nëse nuk bind këta persona, me emër, do përfundosh në burgun e regjimit special. Në këtë mënyrë, të burgosurit, përveç vëzhguesit, u detyruan të firmosin votat e kërkuara.
Qendra e votimit nuk është ngritur mbi bazën e vendimeve ligjore, por është ngritur vetëm nga drejtori i burgut që e kishte dhëndër këtë kandidatin socialist, me Ulsi Manjën që është dhe krimineli elektoral në krye të drejtësisë shqiptare. Në këtë mënyrë, ata morën, siç kanë marrë me dhjetëra mandate të tjera, vazhdojnë të marrin mandate të opozitës”, shtoi Berisha.