Rita Ora ndezi për 1 orë Tiranën me 100 mijë pjesëmarrës
Rita Ora ka ndezur këtë të dielë Tiranën, duke krijuar një atmosferë fantastike për dhjetra mijëra qytetarë që ishin në sheshin “Skënderbej”.
Për një orë Rita Ora mbajti Shqipërinë live me zërin e saj të shkëlqyer. Ajo është këngëtare me famë botërore dhe një shqiptare e madhe me shpirt.
Sheshi “Skënderbej” ishte tejmbushur mbrëmjen e kësaj të diele, teksa në skenë ka dalë edhe shqiptarja me famë botërore Rita Ora, e cila rikthehet për një koncert në Tiranë pas 6 vitesh.
“Do të këndoj diçka speciale për ju sonte, një këngë që është pjesë e albumit tim më të ri. “Soul Survivor”, mesazhi i së cilës është të jesh një mbijetues dhe të jesh krenar për atë që ti je”, u shpreh Rita Ora.
Ylli ndërkombëtar me origjinë nga Kosova kohët e fundit ka qenë shumë aktive me debutime dhe koncerte ngado. Ajo ka qenë subjekti i mediave më prestigjioze sidomos pas publikimit edhe të hitit të saj më të fundit “Girls”, këngë të cilën e këndoi edhe mbrëmjen e kësaj të diele para mijërave fansave të saj të mbledhur në Sheshin Skënderbej për të ndjekur live “Ora e Super Muzikës”.
Por ajo ka befasuar teksa ka kërcyer për pak momente edhe në ritmet e muzikës tradicionale shqiptare. E ndërsa koncerti po i afrohej fundit, ajo ka shprehur dëshirën për të kënduar sërish përpara publikut shqiptar.
Kosova ka dominuar skenën e ngritur për këtë mbrëmje festive në sheshin Skënderbej, teksa para Rita Orës ka kënduar një tjetër zë brilant e figurë e njohur në muzikën shqiptare, Kida.
Këngëtarja, aktorja dhe modelja Rita Ora gjithmonë e ka shprehur lidhjen e saj të ngushtë me Shqipërinë dhe Kosovën. Jo vetëm për të festuar pavarësinë e tyre ne shesh, por edhe duke performuar ne Vatikan për vigjilje të shenjtërimit të Nënë Terezës.
Ajo është ambasadore nderi e Kosovës dhe e pyetur në çdo dalje publike nuk e ka fshehur kënaqësinë dhe krenarinë e të qenit shqiptare.


FOTOGALERI/MOMENTET MË PIKANTE NGA KONCERTI I RITA ORËS

VIDEO/KONCERTI I PLOTË I RITA ORËS NË TIRANË
https://www.facebook.com/ErionVeliaj/videos/10156487935381926/
KOHA JONË SONDAZH

