Roberto Saviano: Legalizimi i marijuanës? Ende herët

"Unë po mësoj shqip”. Kështu e nisi ligjëratën e tij dje në “Tirana Open 1″, në Pallatin e Kongreseve, shkrimtari e gazetari italian Roberto Saviano. I ardhur për të prezantuar librin e tij më të ri “Zero Zero Zero. Si e kontrollon botën kokaina”, ai foli për grupet mafioze nëpër botë dhe nuk la jashtë vëmendjes as mafian shqiptare. Prezantimi i tij u bë nga botuesja Arlinda Dudaj, e cila tha se shtatë vite më parë kur lexoi për të, donte ta vononte dhe sot arriti edhe ta sjellë në Shqipëri. Përveç fjalës së mbajtur për librin e tij, ai pati një diskutim me të pranishmit në sallë, mbi temat shqetësuese në vendin tonë si, legalizimin e marijuanës, korrupsionin, mafian shqiptare, votat dhe ekonominë. Në këtë takim, përveç studentëve, morën pjesë edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, deputeti Erjon Braçe, Ajola Xoxe e shkrimtarë.

“Më vjen shumë mirë që jam këtu për dy arsye, sepse kuptohet mirë historia që unë kam shkruar. Unë nuk kam dashur të tregoj rreth kokainës, por botën përmes saj. Nuk dua që të jeni të qetë kur e lexoni atë, dua që të verifikoni e të kuptoni. Këto që shkruaj janë histori të vërteta, kokaina përbën ekonominë më të madhe botërore”, – tha ai. Saviano përmendi se me marijuanën në Shqipëri janë bërë miliona euro.

“Po të investosh 1000 euro në droga, mbas një viti merr 80 mijë. Dhe me këto para, bëhet politikë, institucione shkollore, markete etj. Shqipëria është një vend i komplikuar. Kam folur me shumë njerëz dhe nuk e pranojnë atë që them. Unë shkruaj shpesh për Shqipërinë. Jetojmë pak a shumë në të njëjtën situatë. Nëse doni të dini më shumë, pyesni, nga vijnë makinat e luksit, a justifikohen paratë që kushtojnë ato? U bë një ndërhyrje policore në Lazarat ndërsa po diskutohet legalizimi i marijuanës. Mund të bëhet legalizimi, por them se, para se të bëhet kjo, duhet që Shqipëria të jetë më e zhvilluar”, – tha shkrimtari e gazetari italian.

Ndërkohë, ai vërejti se, kur flet për këto çështje në Shqipëri, dëgjon të njëjtat fraza që ka dëgjuar para 20 vitesh në Itali. “Këtu, nëse vritet një njeri, thonë se u vra për borxhe ose për sherre për shkak të së dashurës. Jo, asgjë, më thonë këtu, nuk ka mafia. Unë po ju them se, në një vend ku fitohet pak, ku mungon progresi ekonomik dhe ku ka kaq shumë vështirësi, është më e lehtë të ketë korrupsion e gjithçka tjetër”, – tha gazetari italian, duke nxitur të qeshura në sallë. Duke bërë me dije se ende jeton në mbrojtje, ai tha se kur shkruan për çështje të tjera, shumëkush e përqesh dhe i thotë: po ku e di ti më se çfarë bëhet atje, apo atje, në vende të ndryshme.

“Nuk duhet të kini turp t’i luftoni dukuritë. Mos t’ju duket se kështu po dëmtoni imazhin e vendit tuaj. Mos kini frikë të flisni për gjërat që dini. Edhe këtu ka mafia. Veçse mafia shqiptare, nuk ka emër, dhe nuk është e qartë se si funksionon, nuk ka studime për të. Ndërkohë që, kush flet për mafian në Shqipëri humbet vota. Për shembull, me qeverinë e mëparshme s’kam menduar asnjëherë të vij në Shqipëri”, – u shpreh ai. Ndërkaq, mes të pranishmëve ishte edhe gazetari Bledi Mane, i cili, mbasi përmendi praninë e Kumbaros dhe Braçes dhe foli për diplomat e munguara të politikanëve, e këshilloi Savianon me këto fjalë: “Hiqe nga terminologjia togfjalëshin ‘mafie shqiptare’ sepse nuk ekziston. Ne nuk njohim hierarki, krimi ynë është ordiner. Ne nuk bëhemi dot skllevër, ushtarë. Ne të gjithë duam të jemi komandantë”. 

SHKARKO APP