Rockstock Music Festival, gati edicioni i dytë i tre netëve maratonë

(Më datë 24, 25, 26 shtator në Sheshin “Nënë Tereza”, (ish Kolonat) starton eventi më i madh muzikor i zhanrit rock) – 

Nëse muzika është ushqim për zemrën, atëherë le ta ushqejmë me muzikë të mirë në tre net maratonë. I konceptuar si një projekt ndryshe që në nisje dhe që synon traditën, pas suksesit të edicionit të parë, starton për të dytin vit radhazi më datë 24-25-26 shtator, edhe edicioni i dytë i Rockstock Music Festival. Me iniciativën e organizatorëve, Elton Deda dhe Erjon Zaloshnja, ky Festival rrok e guxon të shpërndajë mesazhe të forta, por që thelbi i kësaj ngjarjeje artistike mbetet MIQËSIA (Dita e Miqësisë), pasi Rockstock Festival sipas tyre nuk është një event vetëm për muzikantët që do të performojnë në skenë, por edhe për publikun që do ta ndjekë. Për tre net me radhë artdashësit e muzikës rock do të argëtohen me muzikë të bukur, por edhe do të krijojnë miqësi të reja me të pranishmit, të cilat mund të vazhdojnë edhe më tej. Po sipas organizatorëve të Festivalit, të cilët ndërkohë janë duke punuar fort për të sjellë ngjarjen e radhës muzikore, deri më tani pjesëmarrjen e kanë konfirmuar shumë prej emrave të mirënjohur të muzikës rock e jo vetëm. Përmendim këtu pjesëmarrjen e bandës “Asgjë Sikur Dielli”, “Offchestra”, “Tre Musketieret”, “Gipsy Grooves”, Renis Gjoka Band, Shpat Deda, Centaur (Reunion), Rockstock Band, Eneda Tarifa, Kamela Islamaj, Elton Deda, Altin Goci Band, një bandë rock-u e ardhur posaçërisht nga Kroacia dhe Serbia, Jericho, Elita 5, The Curlies, Duck Lord, etj..

E përveç argëtimit dhe pjesëmarrjes së publikut, i cili pritet të jetë i jashtëzakonshëm tek Sheshi “Nënë Tereza” (ish Kolonat), ky Festival synon gjithashtu të argëtojë, rifreskojë memorien e fansave të rock-ut, por edhe të edukojë gjeneratën e re mbi historinë e muzikës së vërtetë rock në Shqipëri.

 

Kjo do të realizohet edhe nëpërmjet premierës së filmit dokumentar, “Antologjia e Muzikës Rock në Shqipëri”, i cili vjen i punuar me mjeshtëri nga Leandër Ljarja, me iniciativën e artistëve Elton Deda dhe Erjon Zaloshnja. “Antologjia e Muzikës Rock në Shqipëri” është një përmbledhje e historikut dhe evolucionit të muzikës Rock nëtë gjithatrevat shqiptare, duke filluar nga vitet ‘70 deri në ditët e sotme. Premiera e filmit dokumentar do të jepet në orën 19:30, në Kinema Imperial, Sheshi “Italia”, Hotel Sheraton e më pas do të transmetohet në Digitalb (por edhe në Youtube). Pas premierës, pjesëmarrësit do t’i bashkohen një Cocktaili, për të ndarë me njëri-tjetrin emocionet mbi filmin dokumentar, por edhe opinione të ndryshme mbi evoluimin e rock-ut shqiptar!    

SHKARKO APP