Roli i “të penduarit” dhe zbulimi i krimit makabër që ndodhi para 8 vitesh
Një krim makabër që ndodhi para 8 viteve, vetëm sot ka çuar në pranga autorët. Rrëfimi në polici i një miku të Shkëlzen Bucit, të dyshuarit për vrasjen e motrës së tij Eglantina Buci, ka riaktivizuar hetimin që çoi në zbardhen e ngjarjes makabër të ndodhur 8 vite më parë. Në vitin 2017, teksa ishte arrestuar për kryerjen e një vepre penale, ai i ka thënë hetuesve se kishte shoqëruar në mjet Shkelzen Bucin dhe të motrën drejt Malit me Gropa. Gjatë rrugës motër e vëlla kishin debatuar dhe ai kishte dyshime se e reja ishte vrarë.
Kjo ka ngjallur dyshime për Policinë se eshtrat njerëzore të zbuluara në Malin me Gropa në shtator të vitit 2012 mund të ishin të 23-vjeçares Buci, e cila rezultonte e zhdukur. Personi që dha informacionin ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ndërsa hetimi i mëtejshëm provoi identitetin e kufomës së gjetur në Malin me Gropa. Eshtrat e gjetura janë dërguar në një organ të specializuar në Kosovë, ku është përfituar një material gjenetik. Kjo ADN përputhej me atë të nënës së viktimës, duke provuar kështu shkencërisht se kufoma e groposur në Malin me Gropa i përkiste 23-vjeçares së zhdukur.
Gjatë hetimit u ngritën dyshime se në krim ishte përfshirë edhe babai i 23-vjeçares, Faik Buci. Motivi i vrasjes dyshohet se ka qenë fakti se Eglantina ishte larguar nga banesa për të bashkëjetuar me dikë, pa dëshirën e babait dhe vëllait. Faik Buci u arrestua të premten, bazuar një mase sigurie “arrest në burg” në mungesë, firmosur nga gjyqtari Lazer Sallaku. Djalit të tij, Shkëlzen Buci, masa iu komunikua në burg, ku ai po vuan një dënim me 13 vite burg për akuzën e tentativës së vrasjes së Mishel Prelës, ngjarje e ndodhur në korrik të vitit 2017 në Tiranë.